Aktuale

Ministra me aktakuzë dhe nën hetime

Pjesë e Qeverisë Haradinaj do të jenë ish-ministra të Qeverisë Thaçi 1 e 2, ndaj të cilëve kryeministri i tanishëm jo rrallë kishte drejtuar kritika të ashpra, shkruan sot Koha Ditore.

Ish-ministri i Financave dhe i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tani do të jetë në krye të një dikasteri të ri, i quajtur Ministria e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë. Beqaj, si ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka qenë pjesë e një komisioni i cili ia kishte falur disa hidrocentrale konsorciumit “Çalik-Limak”.

“Koha Ditore” pati raportuar vitin e kaluar se katër hidrocentrale që ishin pronë publike ishin shitur së bashku me Distribucion dhe Furnizimin në vitin 2012, për një shumë prej 26.3 milionë eurosh. Në tri nga katër hidrocentralet e privatizuara, koncesionari ka investuar rreth 10 milionë euro për rivitalizimin e tyre.“Çalik-Limak”, sipas kontratës, për shitblerje me Qeverinë, është pronar i katër hidrocentraleve që së bashku kanë një kapacitet të instaluar prej 11 megavatesh.

Përfshirja e tyre në procesin e privatizimit ka qenë jotransparente dhe është mbajtur e fshehur nga publiku. Më herët ka pasur raportime se ndaj Beqajt dhe të tjerëve të përfshirë në këtë rast, prokuroria është duke zhvilluar hetime.