Aktuale

Ministri Bytyqi jep nënshkrimin, prej sot fillojnë pagesat për mësimdhënësit e viteve 90-ta

Punëtorët e arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës që kanë punuar nga viti 1990 deri në 1999 në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, prej sot do të “shpërblehen” nga shteti.

Kjo pasi që sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi e ka nënshkruar udhëzimin administrativ, i cili përcakton kushtet e aplikimit dhe pagesës.

Kështu punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.

“Miq të dashur, po ndaj me ju një lajm të mirë që ka të bëjë me kategorinë e mësimdhënësve që parandaluan zhbërjen tonë kulturore. Personelit arsimor shqiptar, të cilët gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, mbajtën gjallë arsimin në Kosovë, nga sot po ju kthehet dinjiteti”, ka treguar ministri Bytyqi.

Ai tha se është i lumtur që sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që punuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 98/99, si dhe Udhëzimin Administrativ për pronarët e shtëpive shkolla dhe objektet tjera të lëshuar për arsimin shqip gjatë viteve 1990/99.

“Me hyrjen në fuqi të këtyre dy udhëzimeve, do të zbatohet Ligji për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ligj ky që është miratuar gjatë mandatin tim si ministër i Arsimit”, tha ai.

Ministri Byqyqi vlerësoi se punonjësit e arsimit dhe kryefamiljarët që lëshuan objektet për shtëpi-shkolla gjatë periudhës 1990-1999, do të mbeten përherë pjesë e historisë më të lavdishme të popullit shqiptar.

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës në ditën e fundit të muajit shkurt e miratuan në lexim të dytë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999. Kjo edhe i hapi rrugë MAShT-it që të bëjë nënshkrimin e udhëzimeve me të cilët tani fillon pagesa.

Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.

Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro./FaktePlus