Rajon & Botë

Ministri gjerman: Trump po e sjell luftën afër Evropës

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të mos e vërtetuar marrëveshjen bërthamore të nënshkruar mes fuqive botërore dhe Iranit, mund të përbëjë rrezik për luftë afër Evropës, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Trump i ka dhënë disa ditë kohë Kongresit Amerikan për të vendosur për rivendosjen ose jo të sanksioneve ndaj Iranit, të cilat u hoqen në vitin 2016 si pjesë e marrëveshjes bërthamore. Ai, po ashtu ka paralajmëruar se mund të kërkojë ta prishë plotësisht këtë marrëveshje, transmeton Express.

Megjithatë, Gabriel ka thënë se nëse SHBA-ja zgjedh cilindo prej atyre opsioneve, atëherë një gjë e tillë mund të rezultojë me zhvillimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit dhe ta rrisë kërcënimin për një konflikt.

Duke folur për radion Deutschlandfunk, Gabriel ka theksuar se Trump ka dërguar sinjal të rrezikshëm dhe vështirë edhe kur Administrata Amerikane po merrej me krizën e ambicieve bërthamore të Koresë Veriore.

“Ata [iranianë[ mund të rikthehen për të zhvilluar armë bërthamore. Izraeli nuk do ta toleronte këtë dhe kësisoj do të rikthehemi aty ku ishim 10 apo 12 vjet më parë, me rrezikun e një lufte relativisht afër Evropës”, ka thënë ai. /Express/