Aktuale

Ministri Lekaj: S’do të ketë penallti nga ‘Bechtel Enka’

Qeveria e Kosovës nuk rrezikon të marrë asnjë penallti nga konsorciumi “Bechtel Enka” për vonimin e alokimit të mjeteve te kjo kompani, pasi sipas ministrit të Infrastrukturës rishikimi i buxhetit do të ndodhë shumë shpejt.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, gjatë vizitës që i bëri sot punimeve të cilat janë duke vazhduar për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi” , siguroi se nuk do të ketë vonesa në realizmin e këtij projekti.

Ai u zotua se do t’i kryejnë të gjitha obligimet që kanë ndaj kompanisë ndërtuese të autostradës, por edhe për kompanitë tjera, duke bëri gjithashtu me dije se do të kërkojnë llogari nga secila kompani për punën e kryer.

“Me këtë problematikë jemi marrë që në ditën e parë dhe nuk do të vijë deri te penalltia, sepse në kontratë është e precizuar dhe ne jemi zotuar që do t’i kryejmë obligimet këtë vit dhe do të bëjmë edhe rishikimin e buxhetit në mënyrën më të shkurtër të mundshme. Do të bindeni se ne me seriozitetin më të madh jemi në shërbim të qytetarëve dhe për të mirën e vendit. Nuk do të ketë vonesa në realizimin e projektit, sepse ne jemi zotuar dhe kam marrë mbështetjen nga kryeministri Haradinaj që do ta mbështesë këtë projekt, por edhe projektet tjera që kanë domethënie të madhe për shtetin e Kosovës”, tha ministri Lekaj.

Ministri i MI-së për projektin në fjalë prej 62 kilometrave, tha se kjo rrugë e cila lidh korridorin e tetë është në shërbim të qytetarëve dhe Qeveria do të marrë vendime të shpejta, të cilat do të jenë në favor të qytetarëve.

Sipas Lekajt, segmenti i dytë i autostradës do të përfundojë në fund të vitit, kurse segmenti i tretë nga fshati Doganaj deri në Han të Elezit do të përfundojë në fund të vitit 2018.

“E kam nderin e posaçëm si ministër i Infrastrukturës që inspektimin e parë rrugor ta bëjë në këtë autostradë që lidh korridorin e tetë. Ajo që më bëri përshtypje është standardi i punës dhe për këtë periudhë kohore që 1600 punëtorë kanë siguri dhe asnjë aksident nuk ka ndodhur. Është një standard i lartë dhe mendoj se duhet vlerësuar. Ne pamë për së afërmi zhvillimet e kësaj autostrade dhe mund të them që edhe pse ka pasur prolongime, jo me fajin e konzorciumit “Bechtel Enka”, por me atë qe ne kemi pasur ngecje në qeveri. Mund të them lirshëm se segmenti i dytë do të përfundojë në fund të vitit dhe ne u zotuam që do t’i kryejmë obligimet tona. Po ashtu, për segmentin e tretë që fillon prej fshatit Doganaj deri në Han të Elezit mendoj se do të kryhet në fund vitit 2018. Por, ne duhet të zotohemi që të kryejmë obligimet tona dhe të mos të ketë ngecje sa i përket punës tonë”, tha Lekaj.

Ai theksoi se do të kërkohet llogaridhënie dhe nuk do të lejohet që kompanitë t’i prolongojnë punimet, duke i zgjatur punimet me vite të tëra, sikur që ka ndodhur.

Ndërsa drejtori i projektit, Riyadh Alkhazraji uroi ministrin për marrjen e drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës, duke thënë se “Bechtel Enka” do të vazhdojë të bëjë punën e mirë ashtu siç e ka bërë deri më tani.

Ai u shpreh se me ministrin janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje në këtë projekt, duke premtuar se do të vazhdojnë të kenë cilësi të mirë të punimeve dhe të përfundojnë në afatin e paraparë projektin. /kp