Aktuale

Ministri Murati jep detaje për shtesat pensionale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka dhënë detaje lidhur me vendimet e djeshme të marra nga Qeveria e Kosovës për shtesat e ndara për skemat sociale dhe pensionale, duke thënë se Qeveria e kaluar kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj dhe pas muajit prill nuk kishte shtesa të planifikuara.

Murati ka shkruar në Facebook se pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të merrnin shumën prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend.

“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka shkruar ai.

Sqarimi i ministrit Murati:

Nga pakoja e djeshme prej 20 milionë euro e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale.

Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars).

Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.

Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara.

Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend.

Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro.

Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale.