Aktuale

Ministri i Shëndetësisë takohet me italianët që po ndihmojnë fëmijët e sëmurë të Kosovës

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim përfaqësuesit e fondacioneve nga Italia “Nikolla Ciardelli” dhe “Cure 2 Children”, të cilët që prej tetë vjetësh bashkëpunojnë me Repartin e Hemato-Onkologjisë të Klinikës së Pediatrisë të QKUK-së, dhe e ndihmojnë atë me sigurimin e terapisë dhe trajtimit të fëmijëve me sëmundje malinje.

Ministri Rrahmani është shprehur falënderues për misionin e këtyre dy fondacioneve në projektet mbështetëse për Kosovën si dhe për vet Qeverinë e Italisë, e cila, gjithashtu, është kontribuese e rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve deficitare shëndetësore në Kosovë.

Rrahmani e ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin  e mirë midis ekipeve mjekësore nga Italia dhe stafit të Hemato-onkologjisë në Pediatri, ndërkohë që përfaqësuesit e  “Nikolla Ciardelli” dhe “Cure 2 Children”, janë shprehur se do të vazhdojnë kontributin në interes të fuqizimit të shërbimit shëndetësore për fëmijë në Kosovë dhe shpëtimit të jetës së fëmijëve të rrezikuar nga sëmundje të rënda.