Aktuale

Ministri Tahiri: Miratimi i reformave në drejtësinë penale fuqizon të drejtë për viza

Sot është mbajtur takimi i Nivelit të Lartë për Sundimin Ligjit që udhëhiqet nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ku temë qendrore e këtij takimi ishte avancimi i agjendës legjislative dhe reformave në drejtësi. Në këtë takim, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka prezantuar përmbajtjen e projektligjeve dhe reformave që janë ndërmarrë të cilat ndikojnë në fuqizimin e Shtetit të së Drejtës dhe agjendës integruese të Republikës së Kosovës.
Ministri Tahiri ka theksuar se agjenda legjislative e sektorit të drejtësisë, ka për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe qasjen efikase dhe përmbajtjesore në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Ministri Tahiri ka bërë të ditur se përveç përmbushjes së obligimeve të dala nga Agjenda e Reformave Evropiane, hartimin e një sërë pakosh së ligjeve, ndër të cilat Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit, rishikimi i drejtësisë penale, Pako e ligjeve të gjyqësorit, po ashtu janë ndërmarrë edhe iniciativa tjera për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e sektorit të drejtësisë, thuhet në njoftimin ministror.

“Duke pasur parasysh nevojën për të dëshmuar vendosmërinë tonë si Republikë, si partner serioz në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka qenë shumë e rëndësishme edhe rishikimi i Drejtësisë Penale. Këto ndryshime, do të na nxjerrin në një dimension tërësisht të ri dhe më të fuqishëm sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ” ka theksuar ministri Tahiri.

Miratimi i akteve ligjore të sektorit të drejtësisë në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, sipas ministrit Tahiri do të kenë ndikim edhe në rangimin tonë si shtet, edhe në procesin e liberalizimit të vizave edhe në vlerësimin nga ana e Komisionit Evropian në raportet e vendit

“Janë 16 projektligje të Ministrisë së Drejtësisë që janë në procedura të Kuvendit në fazë të ndryshme. Konsideroj se miratimi final sa më shpejt i projektligjeve siç janë Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ai për Konfiskimin e Pasurisë dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, nga ana jonë si shtet, e përmbyllin kapitullin dhe e fuqizojnë kauzën tonë të drejtë për liberalizimin e vizave” ka theksuar në fund ministri Tahiri. /Lajmi.net/