Aktuale

Ministrja Hoxha: Drejtësi për viktimat e krimit

Është bërë sot “Lansimi i programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, nga Ministria e Drejtësisë dhe e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Të pranishëm në këtë lansim ishin Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Ambasador i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe Kryesuesja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Nesrin Lushta.

Në fjalimin e sajë para të pranishmëve, Ministrja Hoxha, tha së ky program i garanton për mundësi kompensimi të gjithë viktimave të veprave penale.

““Puna dhe procesi për kompensim të viktimave të krimit, ka filluar vite më parë, ku Ministria e Drejtësisë, në Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, kishte paraparë që të rregullohet kjo çështje”. Për rregullimin e kësaj çështje, Ministria e Drejtësisë ka vepruar në pajtim me mandatin e përcaktuar më legjislacionin në fuqi, fillimisht duke analizuar me hollësi çështjen e kompensimit të viktimave të krimit dhe me pas ka hartuar dhe miratuar Koncept Dokumentin, nga i cili ka rrjedhë Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është miratuar në vitin 2015. “

“Programi të cilin po e lansojmë sot, ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz; dhunimi; keqpërdorimi seksual i fëmijëve; si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”,ka thënë Hoxha.

Për fillimin e këtij procesi Ministrja Hoxha është shprehur mjaft e lumtur, ajo falënderoj për kontributin, Ambasaden e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“jam shumë e lumtur që arritëm ta fillojmë këtë proces, jetësimi i këtij programi ka qenë njëri nga përkushtimet e mija si Ministre e Drejtësisë, u jetësua falë kontributit të Ambasadës së Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përfaqësuesit e të cilës dua t’i falënderoj përzemërsisht për mbështetjen në këtë fushë, në përgjithësi për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Të flasësh për viktimat e krimit, sigurisht se nuk bën pjesë në temat e lehta. Kjo çështje bëhet edhe më e vështirë duke pasur parasysh faktin se vuajtjet e viktimave të krimit na prekin të gjithë neve si përgjegjës të institucioneve që udhëheqim, por para së gjithash si qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha ministrja Hoxha.

Duke ju bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të ngritin zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë, Ministrja e drejtësisë gjithashtu, inkurajoi viktimat e veprave penale.

“ e drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim nga programi i kompensimit të viktimave po fillon, andaj inkurajoj viktimat e veprave penale të cekura më lartë për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor me aktgjykim të plotfuqishëm nga 30 qershori i vitit 2016, t’i drejtoheni Komisionit për Kompensim të Viktimave”, tha Hoxha.

Ndërsa nga anëtarët e Komisionit, Ministrja kërkoi që të kenë parasysh se duke i respektuar viktimat e krimit ne respektojmë vlerat njerëzore të pamohueshme për të cilat shoqëria jonë nuk ka bërë dhe asnjëherë nuk do të bëjë kompromise.