Aktuale

Miratohet Rregullorja për qasjen e mediave në Kuvendin e Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen në të cilën ka marrë vendimin për qasjen e mediave në Kuvend.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.

“Po ashtu, Kryesia njëzëri miratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, e hartuar në koordinim me përfaqësuesit e mediave dhe miratimit paraprak të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe mbështetjen e NDI-së”, thekson komunikata.

Po ashtu është miratuar edhe vendimi për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile dhe asaj fikse për stafin politik dhe administratën e Kuvendit.

“Kryesia miratoi vendimin për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile, asaj fikse dhe reprezentacionit, si për stafin politik, ashtu edhe për administratën e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

“U miratua gjithashtu edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për periudhën janar-mars 2020, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ndërsa kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit të rishikuar dhe të buxhetit të rishikuar për vitin 2020, u procedua në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike”, bëhet e ditur në komunikatë.