Sport

”Mirupafshim Milan”, Ibrahimovic largohet pas gjysmë-sezoni

Zlatan Ibrahimovic nuk do të ushtrojë mundësinë për të rinovuar kontratën e tij me Milanin, e cila skadon në 30 qershor dhe do të largohet nga klubi milanez këtë verë, sipas raporteve të medieve italiane të mërkurën.

Ibrahimoviç nuk e ndan më projektin sportiv të promovuar nga CEO i Milanit, Ivan Gazidis dhe nuk e përjashton pensionin nga futbolli verën e ardhshme, thotë gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport”, përcjell lajmi.net.

“Ibra bye bye Milan” është titulli i zgjedhur nga gazeta milanese, e cila nënvizon se suedezi është shumë i inatosur për shkarkimin e Zvonimir Boban si drejtor i klubit, me të cilin ai ka një lidhje të fortë miqësie.

Kësaj i shtohet edhe mundësia konkrete që Paolo Maldini, drejtori sportiv i klubit Milan, të japë dorëheqjen nga posti i tij verën e ardhshme.

38-vjeçari, i cili udhëtoi për në Suedi në këtë periudhë emergjente për shkak të koronavirusit, u kthye në Milano janarin e kaluar pasi kontrata e tij me Los Angeles Galaxy skadoi dhe kishte filluar fazën e tij të re në Serie A me katër gola në dhjetë ndeshjet e para. /Lajmi.net/