Aktuale

Molliqaj Shpend Ahmetit: Urime kryetar z. Ahmeti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik e ka proceduar në Kryesi propozimin që Pallati i Rinisë të kthehet në ndërmarrje publike komunale.

“Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, vendosi që Kuvendit t’ia procedojë për vendim propozimin e përbashkët të Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, që Ndërmarrja ”Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë” në Prishtinë, të kthehet në ndërmarrje publike komunale”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj i ka bërë thirrje kryesisë së Kuvendit që sa më shpejtë ta fusë të rend dite për seancë.

“I bëj thirrje Kryesisë së Kuvendit që sa më shpejtë të mbajë mbledhje, ta fusë në rend të ditës për seancë plenare dhe pastaj deputetët të kenë mundësi që këtë ndërrmarrje t’ia kthejnë nën menaxhim qytetarëve të Komunës së Prishtinës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës e ka për detyrë ta menaxhojë këtë ndërmarrje dhe t’i nisë investimet e duhura për ta bërë atë një qendër siç i ka hije kryeqytetit.

“Urime Kryetar z. Ahmeti! Urime të gjithë qytetarëve të Prishtinës!” ka përfunduar ai.