Ekonomi

Mos zhvillimi ekonomik këtë vit i ngjashëm me atë të vitit të kaluar

Edhe pse është paraparë një rritje ekonomike prej rreth 4 përqind për këtë vit, dështimi dhe mos realizimi i projekteve të mëdha siç janë koncesionimi i Brezovicës, Kosova e Re, mund të ndikojnë në parashikimet e Qeverisë për këtë rritje ekonomike.

Sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, parashikimet e Qeverisë me këtë trend të zhvillimit ekonomik nuk mund të arrijë këtë normë të rritjes ekonomike.

Ata akuzojnë qeverinë se konsumin nuk do të duhej ta konsiderojnë si indikator të rritjes ekonomike.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, tha se ka shumë indikatorë që këtë vit mos të ketë normë të rritjes ekonomike më të lartë se viti paraprak.
“Duke pasur parasysh që fluksi i investimeve direkte deri më tani, gjatë vitit 2016 nuk ka qenë i kënaqshëm dhe nuk ka qenë aq i lartë dhe po ashtu duke pasur parasysh që një projekt shumë i rëndësishëm të cilin ne e kemi konsideruar si të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Ka qenë koncesionimi i Brezovicës ,privatizimi i qendrës rekreative të skijimit ka dështuar, dhe duke pasur parasysh që nuk ka ndoshta në horizont ndonjë projekt tjetër madhor i cili me gjasë do të fillojë gjatë vitit 2016, unë presë thjeshtë që norma e rritjes ekomomike të jetë e ngjashme me atë të 2015-ës.“, tha Zeka.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se nuk është mirë që Qeveria e bazon normën e rritjes ekonomike në konsum. Ajo duhet të bazojë rritjen në shumë aspekte të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në përmirës imin e gjendjes ekonomike në vend.
Gërxhaliu: Konsumi nuk do të duhej të konsiderohet indikator i rritjes ekonomike
Video:
“Thuhet se do të ketë 4 përqind rritje ekonomike në vitin 2016 kur dihet që janë duke dështuar disa projekte strategjike. Disa janë duke u prolonguar, atëherë vërtet në qoftë se do të jetë konsumi indikator i rritjes ekonomike është diçka që Kosovës nuk i bënë nderë. Kosovës i duhet përmirësim në aspektin e krijimit të vendeve të reja të punës, tërheqjen e investitorëve të huaj, përmirësimin e bilancit të pagesave, përmirësimin e punëve të kontraktuara në vendet të treta. Në këtë mënyrë të ketë disa indikatorë që do të gjenerojnë këtë rritje dhe atëherë do të ketë rritje substanciale“, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, parasheh që rritja ekonomike këtë vit të arrijë në 4 përqind.

“Do e qojnë rritjen ekonomike prej 3 deri 3.8 ose 4 për qind, kjo është për sivjet eventualisht në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Unë jam i sigurt që viti 2017, do të bëjë një kapërcim signifikantë në normën e rritjes ekonomike”, tha Hoti.
Ekonomia e Kosovës në vitin 2015, sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, ka shënuar rritje prej rreth 3.5 përqind, e ndikuar kryesisht nga rritja e investimeve dhe konsumit. Sa i përket vitit 2016, pritet që rritja reale e BPV-së, të arrijë në rreth 3.7 përqind. Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa, neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e BPV-së.
Të dhënat deri në mars 2016, sugjerojnë rritje të konsumit, që është ndikuar kryesisht nga rritja e kredive konsumuese, rritja e shpenzimeve rrjedhëse të qeverisë, e.t.j.

Rritja e konsumit mund të shpjegohet edhe nga rritja e konsiderueshme e importit të mallrave konsumuese, të cilat në tremujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje prej 13.1 përqind. Në anën tjetër, remitencat u karakterizuan me performancë më të dobët, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë duke shënuar rënie, thuhet në raportin vlerësues të BQK-së./KP