Aktuale

MPB nënshkruan kontratën për targat

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informon publikun se Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OShP), ka publikuar vendimin në lidhje me aktivitetin e prokurimit “furnizim me targa për regjistrim te automjeteve”.

“Paneli i OShP-së, me vendim unanim, ka vërtetuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘furnizim me targa për regjistrim të automjeteve’ dhe ka autorizuar MPB-në për vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme, që nënkupton nënshkrimin e kontratës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar të gjitha procedurat dhe sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik, dhe të gjithë sektorët relevant po zhvillojnë procedurat me prioritet dhe pa vonesë për të kryer të gjitha obligimet e nevojshme ligjore dhe procedurale, në mënyrë që furnizimi të arrij në stoqet e MPB-së, sipas obligimeve kontraktuese.

“Bazuar në obligimet kontraktuese, operatori ekonomik është i obliguar që jo më vonë se 30 ditë të dorëzojë në MPB sasinë e kërkuar të targave”, bëhet e ditur në njoftim.

MPB njofton qytetarët se të gjitha ata që kanë aplikuar, për regjistrim të parë, dhe janë pajisur me targa prova, do të paguajnë vetëm taksën e mbetur prej 5 euro, pra nuk ngarkohen me pagesa tjera.

“Ministria e Punëve të Brendshme të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju kërkon mirëkuptim për furnizimin me vonesë me targa, jo për fajin e saj, ndërsa për datën e fillimit të lëshimit të targave do t’iu informojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e MPB-së./KosovaPress/