Aktuale

MPB, paga në kundërshtim me legjislacionin dhe numër të madh të pozitave me ushtrues detyre

Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre, pagesat e të punësuarve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, vonesa në realizimin e projekteve kapitale si dhe vonesa në ekzekutimin e pagesave brenda afatit ligjor, janë disa nga të gjeturat e evidentuara në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2015. Raport ky i cili u shqyrtua në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Anëtari i komisionit Bali Muharremi, i cili foli për të gjeturat e raportit tha se Raporti i auditimit për MPB-në ka një opinion të pa modifikuar dhe se raporte të tilla ka pasur mjaftë pak deri tani. Ndërsa tha se edhe pse sipas raportit ka përparime edhe më tutje ka ngecje tek MPB-ja, si menaxhimi i pagave jo në përputhje me legjislacionin, si dhe janë evidentuar mangësi pasi që një numër i konsiderueshëm i automjeteve te policisë presin për servisim. Dobësi ka pasur dhe në menaxhimin e rrezikut për pagesat e mundshme, mungese e llogaridhënies si dhe menaxhim i pagave jo në përputhje me legjislacionin. Muharremi tha se sfidë e MPB-së, paraqitet dhe fusha e menaxhimit të pasurisë.

Ndërkaq dhe anëtari tjetër i komisionit nga radhët e LDK-së Ali Sadriu, tha se sipas raportit punët në MPB janë mirë, por jo dhe në Policinë e Kosovës.E Enver Hoti nga Nisma, tha se raporti ka evidentuar disa mangësi, për të cilat duhet dhënë përgjigje, siç janë pagesa e pagës në kundërshtim me vendimet e qeverisë, mirëmbajtja jo e mirë e dosjeve të personelit dhe mangësi të tjera të evidentuara.

Ndërkaq Faton Topall, kryetar i Komisionit tha se problematike mbetet mosimplementimi i rekomandimeve të auditorit.

E Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, i cili raportoi para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit të vitit 2015 për këtë ministri, duke iu përgjigjur vërejtjeve të cilat i theksuan anëtarët e këtij komisioni tha se gjendja në ministrinë që ai drejton, sa i përket zbatimit të rekomandimeve tani është më mirë, pasi që nga 17 rekomandimet e marra nga Auditori, 12 janë adresuar tashmë dhe 5 prej tyre janë në proces.Ndërsa tha se edhe sa i përket mbulimit të pozitave më ushtrues detyra gjendja është shumë më e mirë se në ministri tjera. Gjithashtu dhe numri i të punësuarve që janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve është tejet i vogël, krahasuar me vitet e mëhershme.

Ai tha se që nga dita kur ka marrë përsipër ta udhëheqë ministrinë e Brendshme, ka vendosur një kornizë parimesh dhe se disiplina buxhetore ka qenë në fokus të tij.Hyseni shtoi se ai udhëheq MPB-në dhe jo një parti politike.