Aktuale

MPJ i reagon deputetit slloven për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka reaguar deputetit slloven, Janija Ivanusha, i cili gjatë qëdrimit në Beograd deklaroi se Sllovenia është duke shqyrtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë deklaratë kanë folur zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se Kosova vazhdon të ketë raporte të shkëlqyera për shtetin e Sllovenisë.

Ai tha se MPJ nuk komenton deklaratat e individëve kushdo qofshin ata.

“Ne nuk komentojmë qëndrime të individëve kushdo qofshin ata. Marëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetin slloven janë të shkëlqyera në planin dypalësh. Sllovenia është mbështetëse e madhe e zhvillimit dhe fuqizimit të shtetit tonë”, ka thënë Zyberaj për FaktePlus.

Ndryshe deputeti slloven, njëherësh nënkryetar i Partisë Kombëtare Sllovene, Janija Ivanusha ka deklaruar se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është një proces real brenda Bashkimit Evropian.

Ivanusha tha se së shpejti do të miratohet rezoluta për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa shton se edhe vendet e tjera po e bëjnë të njëjten.

“Ne shpresojmë që të miratojmë udhëzime të reja për heqjen e pavarësisë së Kosovës, pasi disa vende e kanë bërë këtë tashmë, ndërsa disa tjera po planifikojnë ta bëjnë”, shtoi ai për mediat serbe.

Ivanusha gjatë qëndrimit në Beograd ka theksuar se udhëheqja e re e Bashkimit, pas zgjedhjeve të majit, do të shqyrtojë drejtimin e lëvisjes së saj të re.

Deputeti slloven përfundoi se çështja e Kosovës është e rëndësishme sepse ka pasur drejtime të reja në politikën evropiane./FaktePlus