Aktuale

MPJ-ja me apel për qytetarët e Kosovës që frekuentojnë Iranin apo Irakun

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar qytetarët e Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin udhëtimet drejt vendeve që ka tensione, Irak, Iran dhe Jemen.

“Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto vende nuk ofrojnë siguri për integritetin e tyre fizik.

Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vie si rezultat i tensioneve në këtë rajon. Ministria e Punëve të Jashtme është e informuar se ka shtetas të Kosovës që punojnë për Organizata ndërkombëtare dhe kompani të ndryshme në Irak”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme sipas misionit të saj për të ofruar mbrojtje qytetarëve të Kosovës jashtë vendit ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe për të ofruar mbështetje të nevojshme konsullore shtetasve të Kosovës në Irak dhe rajon.

“Gjithashtu kemi vendosur kontakt me qeverinë e regjionit të Kurdistanit për të mbështetur në çfarëdo nevoje shtetasit e Kosovës në Irak.

Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim”, thotë MPJ-ja. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN