Aktuale

MPJ përgënjeshtron mediat serbe: Janë pjesë e fushatës qëllimkeqe kundër Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të shtunën përmes një komunikate për media përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe, për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ mbështetur në informatat e siguruara nga institucionet e sigurisë, informon se shkrimet e disa ditëve të fundit janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendencioze që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit, dhe se ato janë pjesë e një fushate të lajmeve të rrejshme që kanë për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.

“Çdo tentativë, e kujtdo qoftë, për të paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat, të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euro-atlantike, për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar.

Këto tendenca, për ta prezantuar Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurt, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për të goditur interesat vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumetnik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

MPJ siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, vazhdimisht janë pro-aktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit.

Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit, por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar, thuhet më tej në komunikatë.

MPJ bën me dije se Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të shkëlqyer ditor me autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë përgjatë brezit kufitar dhe realizon takime të rregullta edhe me prezencën e trupave të KFOR-it, dhe asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla përkitazi me shkrimet e rrejshme të mediave serbe pas të cilave qëndron politika zyrtare e shtetit serb.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të përkushtuara në përmbushjen e misionit të tyre për siguri dhe stabilitet në Kosovë, si dhe janë në partneritet të vazhdueshëm me shtetet e rajonit e më gjerë për adresimin e rreziqeve të mundshme në Kosovë apo në rajon, përfundon komunikata e MPJ-së.

the authorE B