Aktuale

Mustafa: Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për kryeministër.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon”, ka thënë Mustafa.

“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë”, është shprehur ai në Facebook.

“Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri”, ka shtuar Mustafa.

“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK’së ka shtuar se “i takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kesaj drejtesie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”.

Sipas tij, “vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”.