Aktuale

Mustafa: Asociacioni do të themelohet, nga Demarkacioni nuk humbim tokë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në seminarin “Rose Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka folur edhe dhe për dy çështje të cilat kanë qenë ndër më të diskutuarat vitin e fundit, Asociacionin dhe Demarkacionin.

Mustafa theksoi se Asociacioni i komunave serbe do të themelohet, ndërkaq sa i përket Demarkacionit, tha se Qeveria është e bindur që është ruajtur territori i Kosovës dhe nuk është humbur asnjë metër katror, përkundër asaj që opozita thotë se po humbet territor.

 

“Është penguar puna normale  e Kuvendit të Kosovës, po ashtu kemi pasur protesta të dhunshme. Mund t’iu them se kemi arritur, që këto t’i kapërcejmë si veprime të dhunshme. Ndërkaq Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, por do të themelohet mbi bazën e marrëveshjes e cila është arritur dhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese,  e cila siguron që ky Asociacion nuk do të ketë kompetencë ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë. Ndërkaq sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria është e bindur që vija kufitare, është shënuar në vijën e cila është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi dhe s’kemi humbur asnjë kilometër katror. Përkundër asaj që opozita insiston që Kosova në këtë proces ka humbur rreth 8200 hektar”, tha ai.

Mustafa në  këtë seminar tha se ndalja e të këqijave nga shkatërrimi j luftës, kthimi i të dëbuarve dhe mbrojtja e dinjitetit ndaj atyre që janë masakruar gjatë luftës e arsyeton në mënyre të plotë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.  Ndërsa  shprehu përkushtimin e Qeverisë që të punojë në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një eksportuese të sigurisë, duke u rreshtuar në krah të Aleancës botërore për paqe dhe siguri.

 

“Ne jemi të interesuar që të rrisim edhe më tutje dhe të forcojmë sigurinë. Vlerësimi jonë është që gjendja e sigurisë në vend është e mirë. Kemi institucione të cilat janë mjaft të avancuara, dhe të cilat po  aplikojnë praktikat më të mira evropiane dhe euroatlantike. Jemi shumë të kënaqur me Policinë e Kosovës, me cilësinë e tyre, me disiplinën, dhe me organizimin. Jemi po ashtu shumë të kënaqur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe kemi një falënderim të veçantë për NATO-n për gjithë punën që e ka bërë në konsolidimin dhe organizimin e kësaj Force, dhe presim që kjo Forcë nesër të jetë anëtare e NATO-s, dhe para kësaj, të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës. Gjë që edhe këtë do ta bëjmë, por lypset që të kemi një mirëkuptim më të mirë brenda Kuvendit të të gjithë grupeve parlamentare që përfaqësojnë, edhe komunitetet ”, tha ai.

Mustafa foli dhe për punën e institucioneve të vendit,  në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke pohuar se as Kosova nuk ka qenë imune ndaj kësaj dukurie.

Ai tha se Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar e ka aprovuar ligjin,  me të cilin e ka ndaluar bashkimin e qytetarëve në frontet e jashtme, dhe se që nga shtatori i vitit të kaluar, asnjë qytetar i Republikës së Kosovës , nuk është bashkuar në konflikte të jashtme. E kjo sipas tij është bërë falë një pune shumë të rëndësishme që e ka bërë Policia e Kosovës,  Agjencia e Inteligjencës, shoqëria civile dhe partitë politike.

Ndërkaq ministri i punëve të Brendshme Skënder Hyseni, i cili foli dhe për radikalizmin dhe ekstremizmin, tha se askush vetëm nuk mund ta luftojë këtë të keqe dhe se kjo e keqe mund të luftohet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. Ndërsa tha se rezultatet sa i përket luftimit të terrorizimit dhe ekstremizmit në Kosovë, tashmë janë të prekshme.

“Republika e Kosovës ka demonstruar si pothuaj askush më shumë në Ballkanin Perëndimor gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe rezultate janë evidente. Kemi pasur gati pothuajse një vit që nuk kemi shënuar nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në Siri dhe Irak. Ndërkohë që në fund të muajit shtator nga fundi i muajit shtator kemi gjashtë raste, dy prej të cilave i kemi konfirmuar që kanë arrit në vatra të krizës, përmes rrugëve të ndryshme. Ne gjithmonë themi të regjistruar sepse nuk përjashtojmë asnjëherë mundësinë që ndonjë i radikalizuar, të gjejë rrugë të treta, jo domosdoshmërish përmes vendkalimeve në aeroport. Por përmes vendeve të treta të katërta. Sidoqoftë rezultate në Kosovë, janë të prekshme, janë të dukshme dhe këto vijnë si rezultat i zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm”, tha ai.

Ndërsa Abit Hoxha, hulumtues i lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS),i cili foli për  radikalizmin në Kosovë tha se deradikalizimi nuk është sfidë vetëm për Kosovën, por është problem rajonal dhe global.  Ndërsa tha se duhet qasje pro aktive për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, e jo qasje reaguese, të pritet që të ndodhë diqka e më pastaj të reagohet.

“Duhet të shikojmë faktorët që i nxisin këta njerëz për ekstremizëm, përveç faktorëve sipërfaqësor. Këta njerëz nuk janë të paarsimuar. Janë njerëz të arsimuar, që lexojnë dhe kanë të ardhura.  Brenga jone është që pasi të kthehen çfarë ndodh me këta njerëz… Njerëzit e dënuar që kanë qenë pjesëmarrës në konflikte jashtë vendit dhe po i vuajnë dënimet nëpër burgje . Deri tani janë 100 persona qe janë kthyer dhe me ketë kemi problem. Ne nuk kemi problem me imazhin. Janë 100 persona që janë kthyer. Nuk duhet të brengosemi për imazhin. Imazhi përmirësohet, pasi të merremi me problemin. Zgjidhja për  të ardhmen është arsimimi”, tha ai.

Seminari i 93-të ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka filluar të shtunën dhe përfundon sot. Në të kanë marrë pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere./KP