Ekonomi

Mustafa në Romë prezanton sektorët për investime të huaja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, që po zhvillohet në Romë, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e interesuar për investime të huaja në energjetikë dhe në energjinë e ripërtritshme, miniera dhe minerale, procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, IT dhe turizëm.

Në këtë forum, janë të pranishëm një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të bizneseve italiane dhe kosovare, të cilët kanë interesim për investime dhe bashkëpunim ekonomik në fusha të ndryshme. Në fjalën e tij, kryeministri Mustafa fillimisht i ka njoftuar të pranishmit për proceset shtetndërtuese, si dhe për funksionimin e institucioneve të qëndrueshme demokratike dhe bazës së mirë të ekonomisë së tregut. Mustafa i ka njoftuar me prioritetet themelore të Programit Qeverisës që lidhen me rritjen ekonomike dhe punësimin, sidomos hapjen e perspektivës për punësim të gruas dhe të të rinjve.

“Në fund të vitit të kaluar, kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo e cila e bënë Kosovën pjesë të tregut prej 500 milionë konsumatorëve, dhe përmban në vete një mbrojtje kalimtare për produktet e Kosovës. Tani po punojmë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve për këtë treg, në suaza të Programit të Reformave Evropiane. Kosova ka një popullatë të re, ku mbi 50% janë më të rinj se 26 vjeç, shumë dinamike dhe e përshtatshme për treg të punës. Në tregun e punës, çdo vit hyjnë rreth 22 mijë të rinj. Në vitin 2015 kemi arritur rritje ekonomike prej 4%, këtë vit parashohim po ashtu rritje ekonomike prej rreth 4% dhe një rritje më të madhe të punësimit”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa ka folur për infrastrukturën, energjinë, tregun financiar, bashkëpunimin në regjion dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Po punojmë të zgjidhim problemin e energjisë elektrike, si resurs të rëndësishëm për zhvillim. Jemi në përfundim të marrëveshjes për ndërtimin e një termocentrali të ri, me investitor privat nga SHBA. Por edhe në vlerësimin e rekonstruktimit të termocentraleve ekzistuese. Sa u përket investimeve të jashtme, jemi të interesuar sidomos për investime në energjetikë dhe në energjinë e ripërtritshme; në miniera dhe minerale, përpunimin dhe finalizimin e tyre; në procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, në IT, në turizëm, sidomos turizmin dimëror. Baza legjislative është e harmonizuar dhe në përputhje me standardet e BE-së. Me prioritet kemi ashpërsuar luftën kundër korrupsionit, për të pamundësuar që ai të paraqes kosto kolaterale për bizneset. Kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike, që lehtëson negociatat e Qeverisë me investitorët potencial dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për investime. Po ndërtojmë një infrastrukturë rrugore moderne. Kemi përfunduar autostradën me Shqipërinë, që na lidh me portet në Adriatik me lidhje të afërt me Italinë. Po e ndërtojmë autostradën për Shkup-Maqedoni, që na lidh me Greqinë, Bullgarinë, Turqinë. Do ta vazhdojmë autostradën për Serbi, e cila na lidh me Evropën Perëndimore. Së shpejti do të fillojmë rekonstruktimin e hekurudhave, për të cilat kemi siguruar fondet nga Banka Investive Gjermane, EBRD dhe Komisioni Evropian. Në të gjitha këto punë, kemi një koordinim në suaza të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani më, po ashtu, është konfirmuar se samiti i radhës i 6 vendeve të Ballkanit do të mbahet në Trieste të Italisë. Kosova ka një sistem stabil financiar, kurse risku i moskthimit të kredive është nën nivelin e regjionit. Jemi vend me nivelin më të ulët të borxhit publik, në vetëm rreth 14% të GDP-së. Po ashtu, kemi marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar p ër programin e përbashkët, falë kësaj kemi arritur stabilitet makroekonomik dhe fiskal”, tha ndër të tjera, kryeministri.

Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, kryeministri Mustafa ka veçuar bashkëpunimin me BERZH-in, FMN-në, Bankën Botërore dhe agjencione e saj, si dhe Bankën Evropiane Investive.

“Kemi nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve për bashkëpunim financiar.  Përmes politikave fiskale është përmirësuar në përgjithësi ambienti i të bërit biznes, sidomos sa i përket fushës së prodhimit. Kemi liruar nga obligimet fiskale importimin e lëndës së parë dhe makinerisë prodhuese. Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financa për shumë biznese, kemi themeluar Fondin për Garancitë Kreditore, fond ky i cili pritet të çlirojë një pjesë të konsiderueshme të likuiditetit të tepërt që ekziston në bankat tona. Tani po punojmë, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, për hartimin e politikave të reja fiskale, si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin e kaluar. Kjo pako është dizajnuar me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes, duke i paraprirë në këtë mënyrë një rritjeje më të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies për qytetarët e vendit” , tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se Kosova është plotësisht e hapur për investitorë të jashtëm dhe për tregje dhe duke ftuar investitorët italianë që të vizitojnë Kosovën dhe nga afër të shohin mundësitë e investimit.

Ky forum, ku janë të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrat Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, do të përqendrohet tek sektorët që lidhen me teknologjinë agroindustriale, teknologjinë e industrisë së ushqimit, teknologjinë e industrisë së qumështit, teknologjinë e përpunimit të drurit, tekstilit, veshmbathjeve dhe lëkurës, investimet në energji, ndërtimtari, infrastrukturë si dhe në teknologjinë informative dhe paraqet një mundësi shumë të mirë për tërheqjen e investimeve italiane në Kosovë./KosovaPress/