Aktuale

Mustafa: Nuk bëjmë konkurrencë në krim dhe korrupsion

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë hapjen zyrtare të fushatës me prezantimin e kandidatëve të saj për kryetarë të komunave.

Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se kandidatët e LDK-së do të fitojnë në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, përfshirë edhe ato komuna ku deri më tash kjo parti nuk ishte në pushtet.

“Unë jam shumë i bindur që ata që nuk qeverisen, por vetëm krijuan demagogji, ata do t’i dërgojmë në shtëpi më 22 tetor në Prishtinë dhe po ashtu ndaj bindjen e plotë se Prizreni do ta përmbyllë qeverisjen e keqe dhe këtë çelës të qeverisjes së keqe Prizrenit do t’ia vejë doktor Hatim Baxhaku. Prandaj uroj që kjo të mos jetë fitore e jona, por e gjithë qytetarëve të Kosovës “, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka përkrahur të gjitha komunat në Kosovë dhe nuk kanë aplikuar kritere diskriminuese ndaj asnjë komune.

“Ata të cilët nuk janë pajtuar me ne, sepse i kemi rrezikuar interesat e tyre. Kemi rrezikuar kapjen e shtetit . Prandaj ne jemi ndarë keq me ta. Por ata nuk e kanë dëmtuar LDK-në. Ne kemi dalë edhe më të fortë nga kjo betejë. Ata menduan që e dëmtuan LDK-së, por ata e dëmtuan Kosovën, sepse i dëmtuan proceset integruese euroatlantike, sepse i lan qytetarët e Kosovës të izoluar, sepse i ndalën investimet e huaja në Kosovë dhe ndalën përkrahjen financiare të Kosovës. Por unë jam shumë i bindur se kjo gjendje nuk do të zgjasë shumë. Ne do të ia japim Kosovën rrugën e drejtë dhe rrugën euro-atlantike”, ka thënë Mustafa.

Ai duke lavdëruar kandidatët që ka LDK nëpër komuna, ka thënë se do t’i ofrojnë qytetarëve programe konkrete për zhvillimin ekonomik, pasi LDK nuk është alternativë, por është zgjidhja e vetme për qytetarët e Kosovës.

“LDK është kampione e dijës dhe zhvillimit ekonomik të këtij vendit dhe po ashtu pa marrë parasysh krekosjen e tjerëve, unë iu them se LDK është e vetme forcë politike në Kosovë e cila ka guximin ta luftojë krimin dhe korrupsionin , ta luftojë nepotizmin, sepse LDK-ja është e mbrojtur nga këto dukuri. Prandaj, ne jemi të pastër dhe ne mund ta zhvillojmë betejën tonë. Ne nuk jemi në gjendje të bëjmë konkurrencë me dhunë, sepse tjetër janë që ushtrojnë dhunë. Ne nuk bëjmë konkurrencë në krim dhe korrupsion , sepse janë të tjerë që janë vartës të këtyre dukurive . Nuk bëjmë konkurrencë me të tjetër në propagandën ekstreme të majtë, sepse askush nuk ju kalon atyre sot që po e bëjnë sot në Kosovë. Ne jemi LDK, ne kemi vlerat tona”, tha ai.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi tha se fokusi i programit të LDK-së është qytetari i Kosovës, pasi ofron zgjidhje për të rinjtë në punësim, arsim, shëndetësi më të mirë, por mbi të gjitha ofron siguri për qytetarët.

“LDK dhe ky koncept garanton që kryetarët tanë do të punojnë që nga dita e parë deri në ditën të mandatit të tyre, nuk do të punojnë si këta të tjerët që dështojnë për tri vite dhe pastaj zbukurojnë qytetin për dy muajt e fundit. Gara për zgjedhje komunale nuk është vetëm garë konceptesh politike, por edhe garë kulturash. Të gjithë jemi dëshmitarë të instalimit të një kulture të çuditshme viteve të fundit, kulture përbuzjes, përçmimit, cinizmit. Është detyra jonë që ta kthejmë politikën dhe ta kthejmë dinjitetin e politikanit dhe komunës, është kulturë dhe detyrë e LDK-së të ndërtojë dhe të kultivojë vlerat demokratike, prandaj të bashkohemi që më 22 t’i fitojmë të gjitha komunat që i kemi, ta rikthejmë Prishtinën dhe të fitojmë sa më shumë komuna, mundësisht të gjitha “, ka thënë Abrashi.

Ndryshe, sot ka nisur fushata për zgjedhjet komunale të 22 tetorit në Kosovë. /kp