Sport

Mustafa: Pjesëmarrja në RIO 2016, moment historik për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka organizuar sot një pritje të veçantë për sportistët dhe anëtarët e Komitetit Olimpik që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, pak orë para nisjes për në Rio të Brazilit, Kryeministri Isa Mustafa tha se është kënaqësi e veçantë për të si kryeministër i vendit që të takojë sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike.

“Për ne është një moment historik pjesëmarrja si shtet me simbolet tona shtetërore, dhe para së gjithash me të rinjtë tanë në Lojërat Olimpike. Është një shans i veçantë që ne ta prezantojmë vendin atje, të shprehim cilësitë tona sportive, kulturën tonë, por edhe vendin tonë si shtet i ri. Vlerësoj lartë punën e Komitetit Olimpik me gjithë atë që ka bërë për të arritur këtu ku jemi, punën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila po ashtu ka treguar një kujdes të veçantë në zhvillimin e sporteve dhe në përkrahjen e sporteve, edhe në pikëpamje të legjislacionit, edhe në pikëpamje organizative, edhe në pikëpamje menaxhuese, por edhe në pikëpamje të përkrahjes financiare, të ndërtimit të infrastrukturës sportive për të cilën ne kemi nevojë tani ta bëjmë në të gjitha fushat, veçmas pas pranimit tonë në UEFA dhe FIFA”, tha kryeministri.

Sipas një komunikate Qeverisë, kryeministri Mustafa theksoi se të gjithë në Kosovë i kanë përjetuar shumë këto suksese, duke shprehur përkushtimin dhe vëmendjen edhe më të madhe të Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sportistët.

“Unë dëshiroj që sot t’iu uroj një nismë të mbarë, t’iu uroj suksese, dhe po ashtu të shpreh gatishmërinë tonë si Qeveri që ne t’iu përkrahim maksimalisht, duke mos interferuar në sport dhe në organizimin e sporteve, por ajo që është obligim i yni, në pikëpamje të infrastrukturës, në pikëpamje të legjislacionit, ta bëjmë, në mënyrë që të rinjtë tanë të shprehin dhe të realizojnë vlerat e tyre sportive dhe Komiteti Olimpik, si organi më i lartë, po ashtu të realizoj objektivat të cilat i ka shumë të drejta dhe i ka shumë pozitive”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se sportistët ndjehen jashtëzakonisht mirë kur institucionet shtetërore të Kosovës i mbështesin në vazhdimësi në mënyrë të fuqishme.

“Edhe në të ardhmen duhet t’i bashkërendisim të gjitha aktivitetet, në mënyrë që sa më lehtë ta plotësojmë edhe misionin që e ka Komiteti Olimpik i Kosovës dhe aspiratat e sportistëve dhe të trajnerëve të Kosovës. Ne do të nisemi për në Rio pas përgatitjeve të mira edhe në aspektin fizik, dhe në aspektin teknik. Ka qenë një strategji e mirëfilltë, por besoj që përgatitja është edhe në aspektin psikologjik dhe shpirtëror, sepse e tërë Kosova po na mbështet, nisur nga ju, që e udhëhiqni Qeverinë e Kosovës, por edhe nga Presidenca, Parlamenti. Ndjehemi mirë dhe obligimet tona po shtohen karshi kësaj mbështetje, dhe unë jam i bindur se këto përgatitje që janë bërë të përbashkëta, me mbështetjen tuaj dhe me ekspertizën e trajnerëve, vullnetin e çeliktë të sportistëve, do të kulmojnë me një paraqitje të dinjitetshme në Lojërat Olimpike në Rio 2016”, tha Hasani.

Rita Zeqiri, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në Rio në sportin e notit, tha se është kënaqësi dhe nder shumë i madh debutimi historik në Lojërat Olimpike.

“Kështu që besoj, që për të gjithë ne sportistët që do ta prezantojmë Kosovën është nder dhe kënaqësi dhe shpresojmë për një debutim të suksesshëm. Uroj që njëri prej sportistëve që ka normë olimpike, Nora dhe Majlinda, të stolisen me medalje, ndërsa sportistëve tjerë iu uroj paraqitje të dinjitetshme për shtetin tonë”, tha Zeqiri./KosovaPress/

the authorSamir Dalipi