Ekonomi

Mustafa: Po përgatitemi që të jemi konkurrent në tregun evropian

Është hapur Panairi i produkteve bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2016”, në të cilin po marrin pjesë edhe përfaqësues nga oda ekonomike e Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në hapje të këtij panairi, i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria ka prioritet zhvillimin ekonomik, veçmas fushën e bujqësisë, me të cilën janë arritur rezultate të larta.

Ai tha se për këtë fushë janë ndarë subvencione dhe grande të shumta, po ashtu janë përkrahur edhe panaire të tilla.

I pari i Qeverisë, shtoi se Kosova ka nevojë që të rrisë prodhimtarinë e brendshme, në mënyrë që të rritet eksporti dhe cilësia e produkteve.

“Kemi trend të rritjes ekonomike dhe eksportit gjatë këtij viti. Tani po përgatitemi të jemi konkurrent dhe në tregun evropian”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të rajonit.

Sipas tij, ky panair përçon mesazh inkurajues për të gjithë fermerët.

Veseli tha se Bujqësia është një element kyç që ndikon në përmirësimin e bilancit tregtar dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, tha se sektori privat po ecën me hapa të sigurt, pavarësisht sfidave të shumta./KosovaPress/