Aktuale

Mustafa: Shtyrja e vendimit për Haradinajn është dëshmi keqpërdorimi nga Serbia

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se shtyrja e sërishme për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia.

“Shtyrja e serishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtojë po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës.

“Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkon nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e z. Haradinaj në Republikën e Kosovës”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

Gjykata e Apelit në Colmar ka shtyrë vendimin për Ramush Haradinajn për 6 prill.

the authorSamir Dalipi