Arsim & Kulturë

Ndahen çmimet e PITF2021, çmimi kryesor shkon në Turqi

Edicioni i pestë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival – PITF2021, u mbyll me një ceremoni festive të ndarjes së çmimeve. Pesë shfaqje nga shtatë, sa u dhanë në këtë edicion që nisi nga 29 nëntori 2021 deri më 04 dhjetor 2021, ishin në konkurrencë zyrtare për çmimet e festivalit.

Në këtë edicion të PITF, u dhanë shfaqje nga Serbia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Juria profesionale e përbërë nga Enver Petrovci, Gresa Pallaska e Tome Stanovski, shpërbleu këta pjesëmarrës:
– Çmimi për rolin më të mirë dytësor e mori aktorja Lemana Binjoš, nga Teatri Regjional i Novi Pazarit;
– Çmimin për regjinë më të mirë e mori Fatos Berisha për shfqjen Black Box me trupën e Teatrit Migjeni nga Shqipëria;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë e mori shfaqja „When you gaze long into abyss“, nga Serbia;
– Çmimin kryesor të festivalit, atë për aktorin më të mirë, e ndanë dy aktoret turke Burcu Görek dhe Dilara Gül, për shfaqjen „I woke up with no voice“.

Përveç çmimeve të jurisë kryesore të festivalit, u ndanë edhe dy çmime për shfaqjen më të mirë nga juria e medias dhe juria e studentëve.

Sipas vlerësimit të jurisë së medias, çmimi për shfaqjen më të mirë i shkoi shfaqjes „Black Box“ nga trupa e Teatrit „Migjeni“ nga Shkodra e Shqipërisë, ndërsa studentët vlerësuan shfaqjen „Helver’s night“ nga Teatri „Tempulli“ i Maqedonisë së Veriut.

Edicioni i pestë i PITF, iu dedikua jetës dhe veprës së regjisores tashmë të ndjerë, Burbuqe Berisha, e cila ishte drejtoreshë artistike në Prishtina International Theater Festival.