Aktuale

Ndalohet puna e një furre të gëlqeres

Inspektorët e Komunës së Malishevës, sot kanë ndërprerë punën në një furrë për përfitimin e gëlqeres, në Bardh të Malishevës.

Bashkë me inspektorët, në vendin e ngjarjes ishte prezent edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Përfitimi i gëlqeres është prej zejeve të zhvilluara të fshatrave përreth Maleve të Berishës, por përveç dëmit të madh në shëndetin e vet përfituesve dhe banorëve përreth, në masë të madhe e dëmton edhe ambientin, pasi në shumë raste përdoren goma për djegie.

“Ne si komunë, jemi të gatshëm, që të gjithë juve që merreni me këtë zeje, të ju ofrojmë mundësi tjera, përmes subvencioneve në bujqësi, në stalla apo serra, vetëm mos u merrni me këtë zeje, që tani është e ndaluar për shumë arsye, e mbi të gjitha mos dëmtoni shëndetin tuaj dhe banorëve tjerë në fshat, dhe mos e ndotni ambientin më shumë”, iu ka thënë kryetari Begaj, zejtarëve të kësaj zeje.

Ai ka përsëritur gatishmërinë për të ofruar mundësi tjera për këta zejtarë, që të largohen nga ky lloj i zejes, që është e ndaluar, dhe të merren me bujqësi, dhe për këtë edhe komuna është e gatshme që t’i mbështesë.

Djegia e furrave për përfitim të gëlqeres, përcillet me shumë dëme anësore në ambient, si prerja e drurëve dhe dëmtimi i pyjeve, gërmimi për gurë gëlqerorë dhe marrja e tyre në mënyrë ilegale, e deri te djegia e gomave që është rreptë e ndaluar.

the authorE B