Aktuale

Ndërmarrjet sociale, motor për zhvillim ekonomik

Ndërmarrjet sociale konsiderohen të jenë motor i zhvillimit ekonomik, u tha të mërkurën në konferencën e organizuar nga IPSIA, Ambasada Italiane dhe Friedrich Ebert Stiftung me temë “Ndërmarrjet sociale në Kosovë: motor për zhvillim ekonomik”.

Daniele Socciarelli, përfaqësues i IPSIA në Kosovë, bëri të ditur se në Kosovë janë që nga vitin 1999 dhe nga ajo kohë aktivitetet që janë realizuar janë shtuar dhe kanë ndryshuar, pasi që me kohë ka ndryshuar edhe nevojat e vendit.

“Prej rindërtimit kemi kaluar në aktivitete të zhvillimit të një pjese të indit social apo të strukturës sociale, duke vazhduar me projekte të tjera të zhvillimit bujqësor, veçanërisht në pjesën jugore të Kosovës dhe përfaqësinë e kemi në Prizren. Ato që IPSIA dëshiron të prezantojë sot edhe si ide dhe diskutim në Kosovë është pikërisht ideja e ndërmarrjeve sociale. Duke ardhur nga një eksperiencë italiane dhe duke pasur parasysh këto ndërmarrje në Itali e kemi eksperimentuar në Shqipëri dhe ka shume vite që është provuar në Shqipëri. Prandaj, në udhëheqësin e përditshme me ndërmarrjet sociale që mund të jenë një motor dhe vetë titulli e thotë shumë mirë, mund të jenë një motor për zhvillimin ekonomik”, tha Socciarelli.

Ndërsa, Mentor Morina, udhëheqës i grupit punues për projektligjin e ndërmarrjeve sociale, tha se Ministria e Punës ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e legjislacionit.

“Ne si Ministri e Punës një iniciativë të tillë e kemi marrë nga viti 2012 sa i përket sensibilizimit apo kuptimit të konceptit të ndërmarrjeve sociale ashtu siç në shumë vende të Evropës lindore. Ndoshta vetë koncepti i ndërmarrësisë sociale është keqkuptuar që po kthehemi nga e kaluara e ekonomisë socialiste. Edhe te ne është kuptuar nga vetë vendimmarrësit një gjë e tillë që mos po kemi kundërthënie të ndryshme, megjithatë gjatë këtyre viteve  ne kemi filluar me një analizë ligjore me shkëmbim të eksperiencave duke marrë eksperienca edhe nga vendet e ndryshme siç janë Italia, eksperiencë nga Sllovenia , nga Finlanda dhe nga disa vende të tjera”, tha Morina.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 kanë filluar me draftimin e ligjit për ndërmarrësi sociale, i cili ligj përcakton, kufizon apo krijon mundësi të fushës së operimit të vendimmarrjeve sociale në Kosovë.

Sa i përket kategorive, Morina tha se kanë marrë një praktikë nga Italia, ky janë dy kategori të ndërmarrjeve sociale.

“Kemi dy kategori të ndërmarrjeve sociale, ndërmarrja sociale të kategorisë A e cila do të jenë ndërmarrjet të cilat do të ofrojnë shërbime të ndryshme sociale, shëndetësore, apo që e zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimeve të ndryshme sociale. Dhe ndërmarrjeve sociale të kategorisë B që kanë për qëllim përfshirjen e grupeve të cenuara në punësim, ku nga grupet e cenueshme 30 për qind këto ndërmarrje kanë obligim t’i përfshijnë grupet e cenueshme në programet e ndryshme të punësimit”, tha Morina.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, tha se ndërmarrjet sociale janë një temë e re për Kosovën, por që ka rëndësi të veçantë.

“Është një teme e re për Kosovën por ka rëndësi të veçantë, është një temë që është subjekt me një revelancë shumë të madhe në Itali,  është kjo e ndërmarrjeve sociale.  Në Itali ka një legjislacion shumë të avancuar, sa i përket kësaj teme dhe me ndërmarrje sociale si definicion ne i definojmë ato në ndërmarrje private dhe të cilat aktiviteti ekonomik kryesor ka si subjekt prodhimin dhe shkëmbimin e të mirave sociale”, tha ai.

Ndryshe, kjo konferencë është organizuar nga IPSIA,  Ambasada Italiane dhe Friedrich Ebert Stiftung. /kp