Aktuale

Ndërtimi i objektit të FSHMN-së nuk do të bëhet as në vitin 2018

Ndërtimi i objektit të FSHMN-së nuk është paraparë as për vitin 2018, kjo pasi që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e ka paraparë ndërtimin e saj në buxhetin e saj për vitin 2018.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, i cili ka thënë se nuk është paraparë në buxhet, e kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se kur ka ardhur ai në krye të kësaj ministrie buxheti ka qenë i përfunduar.

“Nuk e kemi në buxhetin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për disa arsye. E para themi që ne kur kemi ardhur në Ministri buxheti pothuajse ka qenë i finalizuar sepse në atë kohë veç kanë përfunduar dhe ne krejt çka kemi bërë me buxhetin jemi munduar ti mbajmë vijat tona që i kemi futur. Por, nuk kemi pasur kohë edhe një herë ti ribëjmë, sepse ka qenë gjithçka e mbyllur. Mirëpo, ajo çka ka shkaktuar mos futje ka pasur një kontest të hapësirës ju e dini, ka pasur një kontest të cilin Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e ka mbështetur fakultetin dhe ka qenë të gatshëm ta ndihmojnë edhe në diskutimet me komunën. Tani sipas informacioneve ata kanë bërë një zgjidhje të hapësirës, por tani është e pamundur ta futim në buxhet”, tha Bytyqi.

Por, la një shpresë për studentët e FSHMN-së se ndërtimin e këtij objekti e kanë futur te pjesa e investimeve sociale që është me partnerët ndërkombëtar, ku nëse gjejnë mundësi investimi, Bytyqi tha se kjo ka mundësi të ndodh edhe vitin e ardhshëm.

E studentët e FSHMN-së, profesorët dhe drejtues të UP-së ditë më herët kanë protestuar duke kërkuar ndërtimin e objektit për këtë fakultet, ku ata kanë pasur kërkesë që objekti i FSHMN-së të ndërtohet në hapësirën e kampusit universitar.

Studentët protestues ishin takuar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili u kishte thënë studentëve që objekti i FSHMN-së të ndërtohet në afërsi të Fakultetit Teknik, porse për këtë sipas tij, është Ministria e Kulturës ajo që duhet të heq dorë nga ideja e ndërtimit të Pallatit të Operës në atë hapësirë.

Madje, Ahmeti ju kishte thënë studentëve se komuna e Prishtinës ka dhënë edhe opsione të tjera, të cilat nuk janë marrë parasysh nga FSHMN-ja, meqenëse kjo e fundit do me çdo kusht ndërtimin e këtij objekti në hapësirën e kampusit universitar.

Ndryshe, institucioneve të Kosovës iu është dhënë afat nga protestuesit, që deri më 16 shkurt të vitit 2018, të reflektojnë për të zgjidhur këtë problem, përndryshe kanë paralajmëruan bojkot./KP