Rajon & Botë

Ndeshja Angli – Itali, Federata angleze mban takim shkaku i koronavirusit

Federata e Futbollit e Anglisë ka caktuar takim për sot, në mënyrë që të diskutohet për ndikimin që mund ta ketë koronavirusi në ndeshjen miqësore mes Italisë dhe Anglisë.

Në takimin e ftuar nga Federata angleze do të marrin pjesë drejtuesit në këtë organ, si dhe disa autoritete të tjera përgjegjëse, në mënyrë që të diskutohet për vizitën e Kombëtares së Italisë në Angli për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore muajin e ardhshëm, transmeton Gazeta Express.

Federata angleze do të diskutojë për organizimin e ndeshjes dhe për shqetësimet lidhur me koronavirusin, që është përhapur në mënyrë të shpejtë në pjesën veriore të Italisë gjatë ditëve të fundit.

Ekipi kombëtar i Anglisë gjithashtu supozohet të luajë në Itali muajin e ardhshëm, përderisa ka pasur spekulime se edhe ekipi U-18 i Italisë mund ta vizitojë Anglinë në të ardhmen e afërt.

Shqetësimet për përhapjen e koronavirusit kanë bërë që disa ndeshje të anulohen në Serie A dhe eventet e tjera sportive në Itali, ndërsa gjashtë ndeshje të fundjavës do të luhen pa praninë e tifozë në stadium.

Në mesin e ndeshjeve që do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura është ndeshja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit këtë fundjavë. Interi do ta zhvillojë edhe ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Ludogorets, të enjten, pa tifozë. /Gazeta Express/