Aktuale

Ndotja e ajrit në Prishtinë: A do të ndalohet qarkullimi i automjeteve

Dimrin e kaluar, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, pati arritur në një nivel alarmant. Matjet që prezantoheshin nga Ambasada Amerikane dhe institucionet e vendit, tregonin se shumë herë janë tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

Qytetarët e vendit ka disa vite që gjatë stinës së dimrit jetojnë me ajrin që është edhe më i rrezikshëm se në Pekin, e disa qendra të mëdha të botës, të cilat konsiderohen edhe helmuese për shëndetin e njeriut.

E me të filluar të ftohet koha, ajri i ndotur, i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, sërish ka nisur të kthehet në Prishtinë.

Për të parandaluar keqësimin e situatës, ndalimi i shitjes së thëngjillit për ngrohje, është një prej masave të marra, deri tash, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Zëdhënësi i MMPH-së, Leutrim Sahiti pohon se kontrollet në teren do të shtohen për të parandaluar shitjen e thëngjillit.

“Sa i përket masave, ne i kemi ndërmarrë disa që sa do pak do ta zbusin ndotjen e ajrit. Kemi marr vendime për ndalimin e përdorimin e thëngjillit në institucionet publike dhe ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut. Po ashtu, edhe inspektorët në teren kanë bërë konfiskimin e kamionëve të cilët janë hasur duke shitur thëngjill në mënyrë ilegale, sepse në Kosovë janë disa deponi ilegale dhe mund të themi se ky thëngjill është i rrezikshëm për shëndetin”, thotë Sahiti.

Ai theksoi se ditët në vazhdim sipas nevojës do të mbajnë edhe takimet me drejtuesit e komunës së Prishtinës, për të parë se cilat masa duhet marrë për parandalimin e ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se nëse rritet niveli i ndotjes së ajrit, do të veprojnë edhe me masa më radikale parandaluese sikurse vitin e kaluar, pra duke mos përjashtuar ndalimin e qarkullimit të automjeteve.

“Vitin e kaluar kemi bërë edhe bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ku kemi ndërmarrë masa urgjente si ato për ngritjen e vetëdijes qoftë duke ndaluar thëngjillin, qoftë edhe ndalimin e përdorimit të veturave. Ndërsa këtë vit ende nuk kemi një situatë të rrezikshme, ku ka filluar ndotja por jo në gjendje alarmante sepse kjo varet edhe nga kushtet atmosferike”, ka thënë Sahiti.

Tutje ai ka shtuar se investimet për parandalimin e ndotjes së ambientit janë të mëdha, por ky është një nga problemet e trashëguara që nga paslufta.

“Investimet janë të mëdha në këtë drejtim, por të përmirësohet shpejt kjo gjë është e pamundur, sepse problemi është që nga paslufta. Ministria e siç e dini ka bërë edhe publikimin e të dhënave në kohë reale për ndotjen e ajrit. Së fundi kemi bërë edhe vendosjen e monitorëve në disa pika në kryeqytet, kjo falë një donacioni nga Japonia ku qytetarët mund të informohen me cilësinë e ajrit”, tha ia.

Kujtojmë se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani, Drenasi e Peja, Hani i Elezit ka një kohë të gjatë që përballen me problemin e ndotjes së ajrit, por alarmi për gjendjen e rëndë është ndezur veçmas në tre vjetët e fundit, prej kur matësit e nivelit të ndotjes së ajrit kanë marrë më shumë vëmendje.

Ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë konsiderohet të jenë termoelektranat, të cilat prodhojnë energji përmes djegies së qymyrit, si dhe përdorimi i tij për ngrohje, por një pjesë mjaft të madhe edhe veturat e shumta./FaktePlus