Arsim & Kulturë

Në AAB mbahet Konferenca e Dytë Shkencore Ndërkombëtare ICLLC 2017, “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”

Fakulteti i Gjuhës Angleze i Kolegjit AAB, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”- Shkodër, Universitetin “Aleksandër Moisiu”- Durrës (UAMD) dhe Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) organizojnë Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare ICLLC 2017, “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”.

Dekania e Fakultetit të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, Venera Llunji, i tha Gazetës KNN se kjo Konferencë ka një rëndësi të madhe, pasi që është një mundësi e shkëlqyeshme që studiuesit e fushës së gjuhës dhe letërsisë, të takohen dhe të shkëmbejnë përvojat përmes punimeve të tyre, qasjen ndaj problemeve të ndryshme, qofshin ato në fushën e gjuhësisë apo letërsisë.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit me universitetet e tjera që janë bashkëorganizatore, dekania Llunji tha se Kolegji AAB ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me universitet e rajonit.

“Edhe kësaj radhe në Konferencën tonë do të jenë pikërisht universitetet e rajonit, partnerët tonë, që janë: Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Mojsiu” dhe Universiteti i Evropës Juglindore (SEEU) në Maqedoni. Megjithatë, bashkëpunimi nuk do te thotë se kufizohet vetëm me partnerët, bashkëpunimi është i hapur edhe me të gjitha palët e tjera te interesuara për të qenë pjesë e Konferencës”, theksoi dekania Llunji.

Sipas saj, pos studiuesve të ndryshëm pjesëmarrës, edhe studentët e Kolegjit AAB do të përfitojnë shumë profesionalisht nga kjo Konferencë.

“Studentët do të kenë mundësi të dëgjojnë dhe të marrin pjesë aktive në diskutime gjatë konferencës, meqë fusha e tyre e studimit ngërthen pikërisht temat të cilat do të trajtohen në ketë Konferencë, kurse kolegji AAB fiton edhe një pervojë më shumë, si në organizimin e konferencave, ashtu edhe në të krijuarit e një ambienti te këndshëm pune dhe bashkëpunimi e bashkëveprimi me studiuesit e vendeve te tjera”, tha dekania e Fakultetit të Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, Venera Llunji.

Konferenca Ndërkombëtare për Gjuhësi, Letërsi dhe Kulturë ICLLC 2017 është e dyta që mbahet brenda dy vitesh në Kolegjin AAB, e organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze të këtij Kolegji.

Numri i pjesëmarrësve në këtë Konferencë do të jetë rreth 100 nga të gjitha vendet e rajonit, ku në mesin e tyre do të jenë edhe studentët e Kolegjit AAB të, nivelit master.

Hapja solemne e punimeve të Konferencës ICLLC 2017, do të bëhet të shtunën, më 29 prill 2017, në orën 10.00, në Teatrin AAB “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, në Prishtinë, ndërsa punimet do të zhvillohen gjatë tërë ditës në sesione të ndara. /GazetaKNN