Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB nis edicioni i dytë i festivalit të studentëve PAAF2019

Me një ceremoni solemne, në Kolegjin AAB është bërë hapja e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar “Prishtina Arts and Architecture Festival”, PAAF 2019, festival ky që do të zgjasë nga 22-24 maj 2019.

Në hapje të këtij edicioni, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se ky festival është i një rëndësie të madhe dhe Kolegji AAB që nga themelimi nuk ka pasur objektivë vetëm të jetë qendra kryesore arsimore por të jetë edhe qendër kryesore e kulturës.

“Ky festival është një mundësi shumë e mirë që edhe mysafirët e huaj që vinë, të njihen më shumë me vendin tonë. Mundësitë nuk vine por ato i krijojmë dhe Kolegji AAB e ka krijuar këtë mundësi që nga themelimi. Fakulteti i Arteve dhe ai i Arkitekturës ka krijuar këtë mundësi dhe në fillim kur ka filluar AAB-ja objektivat tona kanë qenë që Kolegji AAB të mos jetë vetëm qendra kryesore e arsimit në vend por të jetë edhe qendra kryesore e kulturës në vend, dhe, po ia kemi dalë. AAB sot është vendi ku më së shumti ka aktivitete kulturore”, shtoi rektori Tafa.

Hapjen solemne të edicionit të dytë të PAAF 2019, e përshëndeti edhe Drejtori i Bordit të festivalit, Prof. Shyqri Nimani, i cili tha se në këtë festival do prezantohen punimet më të veçanta dhe më reprezentative të studentëve të cilat do tregojnë arritjen e tyre.

Në ditën e parë të PAAF2019 u prezantua një program artistik të studentëve të Fakultetit të Muzikologjisë, të cilët performuan vepra të ndryshme muzikore individuale e grupore, në këndim dhe instrumente, ndërsa në fund u bë edhe një prezantim i Korit të studentëve me një varg numrash muzikorë.

Në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar “Prishtina Arts and Architecture Festival”, PAAF 2019, u bë edhe hapja e Ekspozitës Kolektive, ku me këtë rast u prezantuan dhjetëra punime të studentëve.

Kujtojmë se edicioni i dytë i festivalit të studentëve PAAF2019 ka filluar sot me datë 22 maj dhe do zgjasë deri më 24 maj, ku ky festival ka për qëllim promovimin e veprave artistike të studentëve të arkitekturës, dizajnit grafik, etj. /GazetaKNN/