Aktuale

Në Prishtinë sërish protestohet kundër dhunës ndaj të miturës në Rahovec

Sot në Prishtinë sërish do të mbahet një protestë ku do të kërkohet drejtësi për dhunën e ushtruar ndaj një vajze të mitur në fshatin Ratkoc të Rahovecit nga xhaxhai I saj.

Aktivistet nga grupi Feminizmi Shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Grupi i Grave asambliste nga Komuna e Gjakovës, si dhe individ e aktivistë nga shoqëria civile, nëpërmjet një komunikate kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’i bashkohen në protestën kundër dhunës së ushtruar ndaj një vajze të mitur, nga komuna e Rahovecit.

Organizatorët thonë se nëpërmjet kësaj proteste kërkojmë ta ndalojmë dhunën dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin me një fjali të vetme: “Mjaft më me arsyetime!”.

Ato thonë se përmes kësaj proteste do të kërkojnë nga institucionet që të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që janë dëshmitarë të dhunës ta raportojnë atë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Dhuna nuk duhet të përdoret si formë edukimi apo disipline! Dhuna është krim! Ejani të protestojmë së bashku!”, thuhet në komunikatë. /KP