Rajon & Botë

Në Rumani vazhdojnë protestat për dorëheqjen e Qeverisë

Dhjetëra mijëra rumunë kanë dalë përsëri në shesh të dielën, duke sfiduar të ftohtin e acartë, në të 13-n ditë radhazi, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, të cilën e akuzojnë se po përpiqet të minojë luftën kundër korrupsionit.

Rreth 50 000 manifestues, sipas mediave rumune, thërrisnin në kor “Hajdutë!”, “dorëheqje!”, të mbledhur përpara selisë së qeverisë në Bukuresht, duke formuar një flamur rumun gjigant me ngjyrat blu, e verdhë, e kuqe – me anë të pankartave me ngjyra të ndriçuara me celularë. Afro 20.000 persona kanë manifestuar sot edhe në qytetet e tjera të mëdha për të kërkuar largimin e qeverisë.

“Ne duam t’i japim një karton të kuq qeverisë. Dorëheqja e ministrit të Drejtësisë nuk mjafton pas asaj që ajo po përpiqet të bëjë, as anulimi i dekretit që lehtëson legjislacionin antikorrupsion, deklaroi Adrian Tofan, një sipërmarrës 33 vjeç.