Sport

Në Shqipëri nuk paguhej, ky futbollist sot kushton 7.5 milionë euro (Foto)

Rrugëtimi i Armando Sadikut deri këtu ku është sot nuk ishte aspak i lehtë. Vështirësitë dhe sakrificat i ka treguar vetë sulmuesi i Zurichut.

Emri i Armando Sadikut ka zënë vend në historinë e futbollit shqiptar, falë golit të tij me të cilin Shqipëria mposhti Rumaninë dhe e mbajti lart nderin shqiptar në Kampionatin Evropian.

25-vjeçari ndihet shumë krenar për atë që e bëri në “Euro 2016”, duke u bërë emër i njohur jo vetëm te shqiptarët, por edhe në Kontinentin e Vjetër, raporton Zëri.

Mirëpo, rrugëtimi i Sadikut deri këtu ku është sot nuk ishte aspak i lehtë. Vështirësitë dhe sakrificat i ka treguar vetë sulmuesi i Zurichut.

“Ka qenë një sakrificë e madhe për mua që të luaja me ekipe të vogla si Gramozi dhe Turbina, por më pas u ktheva në Elbasan. Ndonjëherë luaja edhe pa u paguar, por gjithmonë e kam ditur se do të arrija diçka”, ka deklaruar Sadiku.

“Gjithmonë kam besuar. Edhe në fund të ndeshjes unë besoj gjithmonë se topi do të vijë dhe unë do të shënoj. Qëkur kam qenë i vogël, shpeshherë flija edhe me veshjen e stërvitjes”, ka theksuar ai.

Image

Sadiku qëndroi në Shqipëri deri në vitin 2011, kur kishte marrë vendim për ta vazhduar karrierën jashtë vendit. Ai shkoi në Zvicër, ku fillimisht luajti për Locarnon, pastaj për Luganon dhe në vitin 2014 u transferua në Zurich.

Gjiganti zviceran ishte në krizë dhe Sadiku nuk ia mbushte syrin, duke e huazuar në Vaduz, për t’ia liruar vendin një përforcimi tjetër. Por, Sadiku e mbajti Vaduzin në elitën e futbollit zviceran, kurse ra Zurichu.

“Nuk e ndieja me gjithë zemër që të shkoja te Vaduzi, por ishte trajneri ai që më bindi duke më premtuar vendin në formacion, madje më premtoi që do të isha unë që do të vendosja për emrat e sulmit që do të luanin me mua”, ka shtuar ai, përcjell Zëri.

Sadiku pritet të kthehet në Zurich, pas disa muajve të kaluar në Vaduz në formë huazimi. Atij nuk po i shkohet te Zurichu, i cili do të luajë në rangun e dytë të futbollit zviceran, ndërsa sulmuesi shqiptar nuk do ta ketë të lehtë të largohet nga klubi i njohur.

“Pas një bisede që menaxheri im ka bërë me drejtuesit e Zurichut, ata i kanë konfirmuar se kërkojnë 7.5 milionë euro për kartonin tim”, ka treguar Sadiku.