Aktuale

Në vend të Ramushit Erdoganit i përgjigjet Kadri Veseli

Kërcenimet që erdhën dje nga shteti mik i Kosoves, Turqia nuk i kanë pëlqyer aspak qytetarëve të Kosovës, mirëpo reagim nga Ramush Haradinaj nuk ka pasur, ndërsa në vend te tij është përgjigjur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se dy shtetet duhet ti ruajnë raportet e mira si shtete mike që janë, shkruan Kosova Republikë

Ja dhe postimi i plotë i z.Veseli

Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.

Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë.