Aktuale

Nëna kosovare që po paralajmëron vetëvrasjen: Nuk po i shoh dot fëmijët duke vuajtur për bukë

Dimri po ofron, derisa bora e parë mbuloi dje malet e bjeshkët e vendit tonë. Kjo stinë mund ta gëzojë shumë kënd, por jo edhe ata që nuk kanë se si ta përballojnë të ftohtët.

Edhe Meside Abazi, nga fshati Pojatë e Komunës së Ferizajt, e ka frikë dimrin. Ajo, ende nuk ka siguruar dru për 4 fëmijët e saj.

Mesidja ka vite që luan rolin e kryefamiljarit, pasi që bashkëshorti i saj i ka vdekur nga një sëmundje.

Ajo thotë për Indeksonline se jeta i është bërë ferr, e që shpesh e mendon edhe vetëvrasjen.

“Nuk jam mirë me shëndet, edhe pse po mundohem për hir të fëmijëve, por jam lodh nga kjo jetë. Me ndihmë sociale nuk po ia dal në krye. Çka me ba, jeta ka prova. Po e shtyej me 130 euro.  Jeta ditë e për ditë po më bëhet ferr, për mua vetëm dita e ditës ja me mbyt veten mos mi pa fëmijët tu hjek, ja me shpall veshkën ne shitje. Jam lodh psiqikisht”. 

Përveç kësaj ndihme sociale, ajo thotë se ka edhe njerëz vullnet mirë që e kanë ndihmuar me pako ushqimore. Ndërsa, tregon se edhe pse bashkëshorti i saj ka qenë veteran i luftës, nuk gëzon asnjë cent nga shteti.

“Edhe pse burrin e kam pas në burg gjatë luftës, përjetues i masakrës së Dubravës, i plagosur në atë masakër ku e ka humb edhe veshkën. Pesë vite ishte i sëmurë nga zemra, që ia mori edhe jetën. Asnjë pension s’marrim si familje, edhe pse na la si familje e të burgosurve politik. Nuk e di si do ia dal edhe këtij dimri”.

Mesidja ka katër tri vajza e një djalë, që të katërtit shkojnë në shkollë. Ndërsa, jetën e vështirë të saj, ajo shpesh detyrohet ta ndajë edhe me të tjerët.

Në rrjetin social Facebook, ajo tregon varfërinë, falënderon ata që e ndihmojnë, por edhe forcën e saj për të vazhduar, e që janë fëmijët e saj.