Aktuale

Nëntë ditë izolim për shkak të COVID-19, këshilltari tregon për gjendjen e Kryeministrit Hoti

Tash e nëntë ditë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjendet në izolim, meqenëse ka rezultuar pozitiv për COVID-19. Për gjendjen shëndetësore të Hotit, ka dhënë detaje këshilltari i tij për media, Xhavit Beqiri.

Sipas tij, gjendja e kryeministrit është e mirë. Beqiri ka treguar për Gazetën Express edhe për takimet virtuale që ka zhvilluar sot i pari i ekzekutivit.

“Mirë është siç e keni parë tërë ditën e ka pas aktive me takime virtuale nga banesa e tij. Ka pas më herët takim me krerët e sigurisë, poashtu ka pas takim me kryetarët e komunave dhe drejtorët e departamenteve komunale për shëndetësi, masnej një takim tjetër me kryetarët e komunave dhe drejtorët komunalë për arsim. Në këto dy takime kanë qenë të pranishëm edhe dy ministrat përkatës, ku është diskutuar për opsionet për fillimin e vitit shkollor”, ka thënë Beqiri.

Thotë se përveç kollës dhe lodhjes, Hoti nuk ka simptoma të tjera.

“Ai do të kalojë atë 14 ditëshin, pra do t’i përmbahet protokollit, masnej kur të del negativ do t’i kthehet punës. Kemi biseduar vazhdimisht dhe nuk ka simptoma të tjera, pak një lodhje të lehtë, por përveç kollës nuk ka ndonjë simptomë tjetër. Këto ditët e fundit sidomos sot e ka pas ploty me angazhime”, ka deklaruar këshilltari i Hotit.

E përveç kryeministrit, për COVID-19 janë testuar edhe gjashtë anëtarë të kabinetit të tij, derisa pjesa tjetër e stafit është izoluar për gati tetë ditë.

Në mesin e atyre që është izoluar ka qenë edhe vetë Beqiri. Ai ka treguar se sot ka dal nga izolimi.

“Prej stafit të kryeministrit, janë testuar gjashtë anëtarë të kabinetit të cilët kanë pas kontakt me intensive, por të gjithë kanë dal negative, derisa ne pjesa tjetër kemi qenë për 7-8 ditë në vetëizolim dhe kur nuk kemi pas asnjë lloj simptomë, kemi filluar me dalë në zyre. Unë për vete kam dal sot, meqenëse e kemi marrë konfirmimin që muj dalim”, ka thënë Beqiri për Express.

Ndryshe, Hoti ka njoftuar se është infektuar me koronavirus më 2 gusht. Ai ka bërë me dije se përveç kollës, nuk ka simptoma të tjera dhe se do të jetë në izolim për dy javë.

“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”, kishte shkruar Hoti.

the authorGazetaKNN