Aktuale

‘Nëse është e nevojshme do ta kontrollojmë edhe njëherë lumin për t’i gjetur dy trupat e policëve të zhdukur’

Kryetari i Hani i Elezit, Rufki Suma, ka thënë se nëse është e nevojshme do ta kontrollojnë edhe njëherë lumin për t’i gjetur trupat e dy policëve të zhdukur, tri ditë më parë në një aksident me veturë, raporton Gazeta Blic.

Suma, ka thënë se që nga mëngjesi, së bashku me punëtoret e Komunës dhe qytetarët janë angazhuar rreth gjetjes së dy policëve.

Në lidhje me rastin ka folur edhe Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, i cili tha se kërkimet janë duke vazhduar, por që fatkeqësisht, deri tani, nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë gjë.

Rama tha se në lidhje me rastin janë duke bashkëpunuar edhe me Qeverinë e vendit si dhe autoritetet maqedonase.

Kërkimet për dy policët janë duke vazhduar edhe në pjesën e Maqedonisë. Në këto kërkime, në atë zonë, është duke marrë pjesë edhe Polica e Kosovës.

Kujtojmë se kërkimet për dy policët e zhdukur në lumin Lepencë janë duke u zhvilluar që tri ditë, prej se është lajmëruar rasti.

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena, janë zhdukur pas një aksidenti me veturë në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit, ku përfunduan në një humnerë mbi 100 metërshe./GazetaBlic