Sport

Nëse ndodh kjo, kualifikohet Shqipëria

Në rast të fitores me Rumaninë, nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do ta mbyllte grupin në vendin e tretë, pavarësisht rezultatit në sfidën tjetër ndërmjet Zvicrës dhe Francës.

Pavarësisht tentativave për ti marrë rezultat Francës, në sfidën e së mërkurës në Marsejë, me dy humbje në dy ndeshjet e para të Grupit A, Shqipëria ka shanse të pakta për të vazhduar aventurën në Kampionatin Europian.

E megjithatë, për aq kohë sa matematika nuk i ka nxjerrë nga gara, kuqezinjtë kanë ende shpresë për të realizuar një tjetër mrekulli dhe të kualifikohet mes të tretave më të mira.

Në rast të fitores me Rumaninë, nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do ta mbyllte grupin në vendin e tretë, pavarësisht rezultatit në sfidën tjetër ndërmjet Zvicrës dhe Francës.

Gjithsesi, për të shpresuar që të jetë mes të tretave më të mira të turneut, Kombëtarja duhet të fitojë me sa më tepër gola diferencë që të jetë e mundur përballë rumunëve.

Kjo për faktin se me humbjet ndaj zviceranëve dhe francezëve, momentalisht golavarazhi i Shqipërisë është -3. Në këtë Europian, ku pritet që një pjesë e madhe e skuadrave të grumbullojnë të paktën 3 pikë, është pikërisht diferenca e golave ajo që do të vendosë për ekipet që do të plotësojnë fazën e 1/8-ave, përcjell “SuperSport.al”.

Sipas përllogaritjeve, edhe duke fituar me dy gola diferencë përballë Rumanisë, Shqipëria do të kishte 47 për qind shanse që të vazhdonte më tej. Në anën tjetër, edhe Rumanisë i nevojitet me patjetër fitore, sepse vetëm barazimi nuk mjafton.

Të dielën në Lyon, në orën 21:00 Shqipëria do të luajë shanset e saj. Të vetëdijshëm se Shqipëria e ka fituar Europianin e saj, me pjesëmarrjen në turneun në Francë, me zemrën e paraqitur në fushë dhe me spektaklin e tifozëve në tribuna.