Aktuale

Ngec vendimmarrja rreth demarkacionit, kërkohet një opsion i pranueshëm

Vendimmarrja për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi ka ngecur edhe pse janë bërë 10 ditë që kur Komisioni Parlamentar ia procedoi projektligjin Kryesisë së Kuvendit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas burimeve të gazetës, shqyrtimi i demarkacionit në Kryesi po zvarritet me qëllim që të gjendet një zgjidhje për të mos dështuar ratifikimi i Marrëveshjes në Kuvend. Kjo po synohet të bëhet para 6 shkurtit, kur në Kosovë do të zhvillojë një vizitë zyrtare kryeministri i Malit të Zi, Dushan Markoviq.

Edhe pse agjenda zyrtarisht nuk është vendosur ende, temë qendrore do të jetë kontesti kufitar mes dy vendeve. Siç merr vesh gazeta, ka përpjekje nga Qeveria për ta gjetur një justifikim të fortë, për t’i dhënë mbështetje versionit zyrtar të Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

Opsion është miratimi i një deklarate të përbashkët mes dy vendeve, ku shprehet zotimi për rishikim të Marrëveshjes nëse gjenden fakte të reja. Kësisoj, Marrëveshja nuk pritet të futet në rend dite, pa u siguruar 2/3 e votave.