Aktuale

Nipi i të moshuarit që u vra për dy dhi… një avokat i njohur shqiptar!

Et’hem Brahimaj, 78-vjeçari nga Borshi i Himarës humbi jetën dy ditë më parë pasi u qëllua me çifte nga fqinji i tij që njëherësh ishte daja i nuses së djalit të tij.

Brahimaj u qëllua pas koke në oborrin e banesës së tij duke mbetur i vdekur në vend. E gjitha, sipas hetimeve paraprake ndodhi teksa i moshuari ishte duke spërkatur rrushin me ilaç. Autori 53-vjeçari Sokrat Xhuveli nga Borshi e qëlloi pas një sherri verbal mes tyre, me argumentin se ilaçi i rrushit do t’i helmonte dy dhi race që ai kishte.

I moshuari, ishte gjyshi i një avokati mjaft të njohur në Shqipëri, Adriatil Lapaj, njëherësh aktivist i shoqërisë civile që ka protestuar në shumë çështje që kanë pasur interes të gjerë.

“Miq te mite, ndjej sot ngrohtesine e cdo mendimi tuaj per mua ne keto ore te veshtira ku krimi mizor na mori babain e shtepise tone te madhe. Ju falenderoj pa mase ne emer te familjes time! Gjyshin tone punetor e sulmuan nga pas kraheve ne deren e shtepise tone ku kishte vreshtin e ku me djerse punonte. Nga deklarimet gjate marrjes ne pyetje autori i ketij akti barbar thote se e vrau gjyshin tone se nga sperkatja e rrushit i rrezikohej ngordhja e 2 dhive. Pse keshtu o Shqiperia ime?! Krenar per ty o mbreti zemres time e arkitekt i ndershmeris qe me rrenjose!”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Edhe më prekës është mesazhi që ai ka shkruar në rrjetet sociale ditën që ka mësuar për humbjen e gjyshit të tij.

“Sot humba gjyshin tim, sot ai na la nje sfide te madhe…a do e mbajme dot aq te madhe dhe mikpritese deren e tij. Et’hem Brahimaj prindi jone i dashur, qe na rrite me dinjitet e atdhedashuri. Sot dhimbja me preku kocken. Do me mungosh…”