Aktuale

Nis “lufta” politike për komunat

Partitë politike tashmë i kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ato madje kanë caktuar edhe disa prej kandidatëve potencialë për kryetarë komunash, të cilët pritet të garojnë në këto zgjedhje.
Me këtë rast përfaqësues të thuajse të gjitha partive në Kosovë kanë konfirmuar se kanë filluar përgatitjet për këto zgjedhje dhe se së shpejti pritet t’i bëjnë të ditur edhe emrat e tjerë të mundshëm.

Ndërkohë, deri më tani është konfirmuar se Shpend Ahmeti, Daut Haradinaj, Zafir Berisha, Ardian Gjini, Labinot Tahiri, Xhafer Gashi, Lulzim Kabashi dhe Agron Kuçi, do të jenë kandidatë për kryetarë të komunave nga partitë përkatëse të tyre.

Ndërkaq, edhe kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, tashmë është deklaruar se e ka përkrahjen për të kandiduar për të parin e kryeqytetit ndonëse, sipas tij, partia pritet të vendosë rreth kësaj çështjeje.

PDK-ja cakton disa prej kandidatëve

Xhavit Haliti, deputet i PDK-së dhe anëtar i kryesisë së kësaj partie, ka thënë për “Zërin” se PDK-ja tashmë ka caktuar disa persona të cilët janë favoritë për të hyrë në garën zgjedhore.

“Jemi në konsultim e sipër, disa janë caktuar, disa jo”, ka deklaruar Haliti për “Zërin”, derisa nuk ka dashur të përmendë emra pasi që, sipas tij, asgjë nuk është zyrtarizuar akoma..