Aktuale

Nis” Vettingu, Rama: Vendi meriton gjykatës e prokurorë të pakorruptuar

Organet e vettingut, ashtu siç ishte paralajmëruar në shtator kanë nisur punën, për të shqyrtuar dosjet e 800 njerëzve të drejtësisë.

Lajmi i nisjes së punës së tyre është bërë nga vetë kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Urime, kurajo, suksese komisionerëve të Vetingut!Njerëzit e këtij vendi meritojnë një sistem drejtësie pa gjykatës e prokurorë të korruptuar”, shkruan Rama.

Tre organe të Vettingut do të shqyrtojnë dosjet e 800 njerëzve të drejtësisë. Në fund të shtatorit u miratua edhe struktura dhe pagat për stafin e këtyre institucioneve.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë pjesë të stafit 68 punonjës. Ky institucion është pjesë e sistemit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ka për qëllim garantimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si edhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Komisioni i kërkon Kuvendit 12 këshilltarë ligjorë dhe 4 ekonomikë. Sa i përket pagës, ligji përcakton që paga e tyre të jetë sa 80 për qind e pagës së komisionerit, por këtij pozicioni i njihet e drejta për pagesë shtesë për shkak të vështirësive, sipas rastit.

Ndërkohë, Kolegji i Apelimit do të ketë në varësi 65 punonjës, ndër ta 6 punonjës do të jenë në drejtorinë gjyqësore dhe tre në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun. Drejtoria e përkthimit do të angazhojë 5 persona dhe burimet njerëzore do të kenë një personel prej 25 personash.