Aktuale

Nishani: Shqetësim për buxhetin akorduar Ushtrisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i është drejtuar të shtunën me një letër-mesazh deputetëve të Kuvendit, ku shpreh rezervat dhe shqetësimin për shifrat e projektbuxhetit të vitit 2017 në fushën e mbrojtjes.

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe të Komandantit Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Presidenti thotë se draft-buxhetin e mbrojtjes për 2017-n, e gjen në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura dhe objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), dokumente këto të miratuara në Kuvend, por dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së.

Duke evidentuar shkeljet në ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit, Nishani i referohet Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025, ku buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të PPB-së.

“Në vijim, vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt – buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi”, thuhet në letrën e Kreut të Shtetit.

Ai nënvizon me shqetësim se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli 2% i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe se angazhimi i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni.

Në këtë pikë, thotë Nishani, edhe këtë vit buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake ku kemi nderin të bëjmë pjesë.

Presidenti e mbyll letrën e tij me shpresën se shqetësimet e paraqitura do të lexohen dhe do të reflektohen, duke e rritur me jo më pak se 1 % të PBB-së buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, me qëllim arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes.