Arsim & Kulturë

Nisi rrugëtimin edicioni i 5-të i PITF, Prishtina International Theater Festival

Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival – PITF”, që organizohet nga Kolegji AAB dhe Teatri AAB “Faruk Begolli”, ka nisur edicionin e tij të pestë.

Ky edicion do t’ i dedikohet veprës dhe jetës së njërës nga themelueset e këtij festivali, regjisores Burbuqe Berisha e cila ditë më parë u nda nga jeta.

Në konferencën e organizuar për media, Drejtori i departamentit të marrëdhënieve me publikun dhe mediat, Zija Rexhepi, bëri të ditur se në kuadër të programit garues të këtij edicioni, në skenat e dy teatrove do të ngjiten trupa teatrale nga Turqia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Kosova. “Në programin konkurrues të edicionit të sivjetmë, do të kemi 5 shfaqje garuese, ndërsa përveç kësaj do të jenë edhe dy shfaqje mysafire që do të jepen në kuadër të programit të #PITF2021”, tha Rexhepi.

Ai bëri të ditur se edhe këtë vit do të jenë tri juri që do të vlerësojnë shfaqjet pjesëmarrëse: juria profesionale, që do të përbëhet nga Enver Petrovci, Gresa Pallaska dhe Tome Stanovski; juria e medias, që do të përbëhet nga Ilire Zajmi, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe Drin Ejupi, si dhe juria e studentëve që përbëhet nga studentë të Kolegjit AAB.

Ndërsa koordinatorja e PITF2021, Doruntina Alshiqi, theksoi se numri i aplikuesve për pjesëmarrje në këtë edicion ishte shumë më i madh se vitet e tjera, por shumë shtete nuk mundën të konfirmojnë pjesëmarrjen për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë Covid-19.

PITF2021 do të zgjasë nga 29 nëntor – 04 dhjetor 2021.