Arsim & Kulturë

Nisi viti i ri akademik 2016/2017 në Kolegjin AAB

Me ceremoni solemne të mbajtura në ambientet universitare të të tri degëve, në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë, Kolegji AAB nisi sot vitin e ri akademik 2016/17.

Në degën e Kolegjit AAB në Prishtinë, ceremonia hapëse e vitit të ri akademik u mbajt në AAB Teatrin “Faruk Begolli”.

Me këtë rast, prorektori për çështje mësimore në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi, u uroi mirëseardhje studentëve të rinj në botën akademike dhe universitare.

“Ju me sukses e keni mbaruar shkollimin e mesëm dhe tani bëheni pjesë e botës akademike, bëheni pjesë e sfidave të reja. Studimet nuk janë vetëm mësim, por studimet janë edhe plotësim i një ëndrre”, u tha studentëve prorektori për çështje mësimore në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi.

Ai i prezantoi para studentëve të rinj të gjithë dekanët e fakulteteve të Kolegjit AAB dhe shtoi se “Hierarkia në këtë universitet është ndryshe: Në vend të parë – në shkallën më të lartë gjenden studentët, pastaj mësimdhënësit dhe krejt në fund janë dekanati e menaxhmenti, të cilët në vazhdimësi janë në shërbim për t’i lehtësuar përpjekjet e juaja”.

Prorektori Vehapi tha se këtë vit në Kolegjin AAB fillon studimet gjenerata e 15-të, ku gjatë kësaj periudhe, ky kolegj në vazhdimësi ka bërë shumë investime dhe ka krijuar një infrastrukturë të mrekullueshme për studime.

“Ne, çdo vit pranojmë afër pesë mijë studentë, posedojmë salla ligjërimi, posedojmë kabinete e laboratorë për punën praktike. Gjithashtu kemi bibliotekë mjaft të pasur me mbi 100 mijë tituj të librave të ndryshëm, ekzistojnë qasje në burime të ndryshme elektronike. Të gjitha këto janë krijuar me të vetmen ide që studentët tanë të cilët e marrin diplomën e AAB-së, të ndihen krenarë, por njëkohësisht edhe të jenë të pranuar nga tregu i punës. Ju mund të shihni çdo ditë në televizion kuadro të diplomuara në këtë institucion, të cilët mjaft suksesshëm kanë ndërtuar karrierë në kompani dhe në fusha të ndryshme të punës”, u shpreh Vehapi.

Prorektori Vehapi uroi që të njëjtën rrugë ta ndjekin edhe studentët e rinj, të cilët këtë vit nisin rrugëtimin e tyre akademik, me kërkesën që të mos ju mungojë asnjëherë përkushtimi.

Në fund të kësaj ceremonie solemne për fillimin e vitit të ri akademik në Kolegjin AAB, pati edhe një program artistik ku u shfaq një dokumentar që tregon punën teorike dhe praktike që bëhet në këtë kolegj, poashtu pati edhe pika të tjera argëtuese.

Krahas shumë programeve të akredituara që ofron për studentët e rinj, Kolegji AAB këtë vit e fillon edhe me Fakultetin e Infermierisë.

Kolegji AAB i cili sot bëri hapjen solemne për viti të ri akademik 2016/2017, ligjëratat për studentët e rregullt, sipas orareve të cilat janë në uebfaqën e Kolegjit AAB (www.aab-edu.net), do t’ i fillojë të hënën me datë 10 tetor, ndërsa për ata pa shkëputje nga puna, ligjëratat do të fillojnë të shtunën me datë 08 tetor.

Gëzuar dhe suksese të gjithë studentëve në vitin akademik 2016/17!

aab1

aab2

aab3

aab4

aab5