Aktuale

Nisma kërkon nga Prokuroria që të hetojë deklaratat e ish-guvernatorit për Thaçin

Nisma për Kosovën, konsideron se kërkesa e Hashim Thaçit për zbardhjen e të gjitha krimeve që janë kryer në Kosovë gjatë dhe pas luftës, është vetëm një parullë false përmes së cilës ai nuk ka për qëllim vënien e drejtësisë në vend.

“Përkundrazi ky veprim i tij përbën një tentim për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga aferat e shumta ku ai del të jetë i përfshirë, sidomos nga kjo e djeshmja me ish-guvernatorin Hashim Rexhepi”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Nisma kërkon nga Prokuroria dhe gjyqësia që ta hetojë me prioritet deklarimin e Hashim Rexhepit, i cila ka sjellë akuza të rënda ndaj një grupi kriminal në krye të cilit ai thotë të ketë qenë Hashim Thaçi, qëllimi i të cilit ishte përdorimi i milionave te Trustit të Kursimeve për interesa kriminale.

“Ky rast duhet të hetohet në mënyrë që të ndriçohet deri në fund”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/