Aktuale

Një i vdekur nga aksidenti i rëndë në magjistrale – Policia jep detaje

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në magjistralen Prishtinë-Pejë, respektivisht në Komoran të Drenasit.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dhënë detaje të reja për këtë aksident tejet të rëndë që ndodhi në orën 8:10.

Zëdhënësi Baki Kelani tha se një person ka humbur jetën si pasojë e këtij aksidenti.

“Rreth orës 08:10 Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një aksident trafiku të ndodhur në autostradën Komoran – Prishtinë. Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur se një veturë dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një shtyllë elektrike. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e emergjencës dhe zjarrfikësit, si dhe është informuar KEDS-i për ndërprerjen e energjisë elektrike, përderisa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi”, ka thënë Kelani për FaktePlus.

Sipas fotografive, shihet një veturë e cila siç duket nga shpejtësia ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike e pastaj ka prishur edhe rrethojën mbrojtëse duke përfunduar matanë rrugës./FaktePlus