Aktuale

Një rrugë në Prizren merr emrin e luftëtarit të UÇK-së, Jon Harrison

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim veteranin luftëtar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në një njoftim për media thuhet se gjatë takimit miqësor, kryeministri Mustafa dhe Harrison biseduan për progresin e arritur në Kosovë viteve të fundit, zhvillimin e shtetit, progresin në ekonomi, hapjen e perspektivës për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë e Kosovës.

Kryeministri në këtë rast shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin që Harrison ka dhënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke qenë një luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj i janë përjetë mirënjohës dhe respektojnë luftën e sakrificën e çdo luftëtari, kontributin e shteteve mike perëndimore e më gjerë si dhe angazhimin vullnetar të luftëtarëve siç është Jon Harrison, i cili luftoi me tërë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke e vlerësuar vendimin për emërimin e nesërm të një rruge në Prizren, me emrin e luftëtarit të dalluar, Jon Harrison.

Luftëtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, gjatë takimit, shprehu lidhjen e posaçme emocionale dhe reale që ka me popullin dhe me shtetin e Kosovës.

Luftëtari Jon Harrison, shprehu përkushtimin e tij për të kontribuar për ecjen e Kosovës përpara. /KP